E Hënë, 2 Nëntor 2026

Armëpushimi në Ukrainë, çfarë ranë dakord SHBA dhe Rusia në Riad

Takimi midis delegacioneve amerikane dhe ruse në Riad në sfondin e armëpushimit në Ukrainë zgjati për më shumë se 12 orë, ndërsa se të dyja palët u përpoqën të bien dakord për marrëveshje.

Zyrtarët amerikanë dhe rusë zhvilluan bisedime maratonë në Arabinë Saudite që synonin fillimisht një armëpushim në Detin e Zi përpara një marrëveshjeje më të gjerë armëpushimi në Ukrainë .

Më herët, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kishte thënë se delegacionet amerikane dhe ruse nuk planifikojnë të nënshkruajnë asnjë dokument pas “konsultimeve” në Riad. Ekipet nga Moska dhe Uashingtoni kanë ngritur çështjen e lejimit të qarkullimit të lirë të anijeve, megjithëse zona nuk ka qenë vendi i operacioneve intensive ushtarake muajt e fundit.

“Kjo ka të bëjë kryesisht me sigurinë e lundrimit,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke vënë në dukje se marrëveshja e vitit 2022 për transportin në Detin e Zi nuk përmbushi premtimet e bëra ndaj Moskës.

Sipas Serhiy Lesenko, një këshilltar i zyrës së Presidentit Volodymyr Zelensky, negociatat kishin të bënin me një ndërprerje të mundshme të sulmeve kundër infrastrukturës portuale në Detin e Zi.

“Diskutimi ishte për një armëpushim të ndërsjellë: ne nuk do të sulmojmë instalimet e tyre (ruse) në det dhe lumenj, dhe ata nuk do të sulmojnë instalimet tona, portet e Kherson dhe Mykolaiv, portet e Odesës së Madhe,” tha Lesenko.

Sakaq, presidenti i SHBA, Donald Trump tha se “po flasim për territorin ukrainas dhe termocentralet”.

“Ne kemi bërë një marrëveshje për tokat e rralla, e cila do të nënshkruhet shumë shpejt. Shtetet e Bashkuara presin të nënshkruajnë një marrëveshje me Ukrainën për qasje në minerale dhe burime natyrore kritike shumë shpejt“, tha Trump.

Negociatat e së hënës erdhën pasi delegacionet amerikane dhe ukrainase u takuan në Arabinë Saudite, dy ditë më parë.

Ky është raundi i dytë i bisedimeve mes SHBA dhe Rusisë në Arabinë Saudite.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›