INSTAT: Rënie e varfërisë relative në vend, të ardhurat mesatare mujore rriten me 23.2%

Instituti i Statistikave (INSTAT) ka publikuar sot të dhënat e Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) për vitin 2024, duke sinjalizuar një përmirësim në treguesit e varfërisë relative dhe pabarazisë në Shqipëri.
Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër shënoi një rënie modeste, por të qëndrueshme.
Rënia e varfërisë dhe rritja e kufirit
Sipas raportit të INSTAT, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në vitin 2024 u vlerësua 19.2%, duke shënuar një rënie prej 0.6 pikë përqindje krahasuar me vitin 2023 (19.8%).
“Të ardhurat mesatare mujore të disponueshme për frymë shënuan një rritje prej 23.2% (nga 41,479 lekë në 2023 në 51,122 lekë në 2024).”, thuhet në raport.
Ulje e pabarazisë
Raporti i INSTAT vë në dukje edhe përmirësime në shpërndarjen e të ardhurave dhe në privimin material.
Treguesi kryesor i pabarazisë, koeficienti Gini, ra në 29.8% në 2024, nga 30.6% në 2023. Kjo tregon një ulje të lehtë të pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave.
“Shkalla e thelluar e privimit material dhe social (në pamundësi për të përballuar të paktën 7 nga 13 kategori) ra në 32.8% nga 35.9% në 2023, duke shënuar një përmirësim të ndjeshëm në cilësinë e jetesës. Treguesi AROPE (Varfëria ose Përjashtimi Social). Ky tregues i gjerë (EU 2030) ra në 40.5% në 2024, nga 43.2% një vit më parë.”, thekson raporti.
Ndikimi i përfitimeve sociale dhe trendet e grupmoshave
Të dhënat tregojnë qartë rolin stabilizues të përfitimeve sociale. Nëse të gjitha përfitimet sociale (përfshirë pensionet) do të përjashtoheshin nga të ardhurat, 36.7% e popullsisë do të ishte në rrezik varfërie.
Ndërkohë, varfëria relative u ul më së shumti te grupmosha 0-17 vjeç (rënie me 0.9 pikë përqindje në 26.6%), por u vu re një rritje e lehtë te grupmosha mbi 65 vjeç (rritje me 0.2 pikë përqindje në 13.8%).
Për sa i përket njësive ekonomike familjare (NjEF), familjet me fëmijë në varësi mbeten më të ekspozuara ndaj varfërisë (24.8%) se ato pa fëmijë në varësi (10.5%).
/rtsh.al/