E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Rriten gjedhët dhe bletaria në 2025-ën

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) publikoi të dhënat e vitit 2025 për blegtorinë, të cilat tregojnë ndryshime të përziera në numrin e krerëve dhe në prodhimet blegtorale, krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i gjedhëve është rritur me 1,1%, duke arritur në 275 mijë krerë, ndërsa numri i lopëve është rritur lehtë me 0,8%. Në të kundërt, kategoritë e tjera kanë shënuar rënie.

Të leshtat janë ulur me 0,9%, ku delet kanë pësuar një rënie më të ndjeshme prej 3,8%. Po ashtu, të dhirtat kanë rënë me 7,4%, ndërsa derrat kanë regjistruar uljen më të fortë prej 28,2%.

Edhe numri i shpendëve ka shënuar një rënie të lehtë prej 0,5%, ndërsa pulat janë ulur me 8,3%. Kategoria e njëthundrakëve ka pësuar gjithashtu rënie prej 3,2%.

Në të kundërt, sektori i bletarisë ka vijuar rritjen, me numrin e koshereve të bletëve që është rritur me 9,8%, duke arritur në 645 mijë koshere.

Sa i përket prodhimeve blegtorale, prodhimi i qumështit ka shënuar një rënie të lehtë prej 0,1%, ndërsa prodhimi i mishit është rritur me 2,5%. Prodhimi i vezëve ka rënë me 5,8%, ndërsa ai i mjaltit është rritur me 6%.

Sipas INSTAT, shpërndarja rajonale tregon përqendrim të gjedhëve në Fier dhe Korçë, të të leshtave dhe të dhirtave në Vlorë dhe Gjirokastër, si dhe të derrave në Lezhë dhe Shkodër.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›