Autoriteti i Dosjeve, vështirësi në plotësimin e rekomandimeve të Kuvendit

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Autoriteti për Informim mbi Dokumentetet e ish-Sigurimit të Shtetit ka paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë raportin vjetor për aktivitetin e tij për vitin 2025, pjesë integrale e të cilit janë dhe masat e marra nga Autoriteti në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të lëna nga Kuvendi.
Deputetja dhe relatorja Romina Kuko, tha në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale se nga analiza e shërbimit të monitorimit konstatohet se nga 7 rekomandime që Kuvendi ka lënë për Autoritetin e Dosjeve, 2 janë realizuar plotësisht ndërsa 5 janë në proces realizimi.
Në fushën e digjitalizimit të fondit arkivor puna ka vazhduar, por me ritëm më të ngadaltë se në 2024. Aktualisht është digjitalizuar 33% e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, ndërsa objektivi është arritja e 75-80% deri në vitin 2028.
Kreu i Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, u shpreh në komision se, disa rekomandime nuk janë përmbushur jo për shkak të mungesës së angazhimit institucional të Autoritetit të Dosjeve, por për shkak se plotësimi i tyre buron nga aktiviteti i institucioneve partnere.
Gentiana Sula vuri theksin tek procesi i deklasifikimit, proces i cili është bllokuar prej një viti, duke bërë të vështirë përparimin e punës me skanimin e dokumenteve etj. Autoriteti nuk mund të ketë një vendimmarrje të pavaruar pa qenë aty edhe përfaqësuesi i Shërbimit Informativ për të dhënë mendimin e tij mbi atë dokumentacion.
Lidhur me vendvarrimet e dyshuara, Autoriteti i Dosjeve ka arritur rezultate konkrete. Gjetjet u janë përcjellë 5 bashkive. Ndërkohë Komisioni Ndërkombëtar i Personave të Zhdukur ka konfirmuar mbeteje mortore në 6 nga 17 vendvarrime të dyshuara. Ky rekomandim është vlerësuar si i realizuar. Gjithashtu konsiderohet si i realizuar dhe krijimi i bazës së të dhënave për personat e zhdukur, sistemi i ndërtuar mbi të dhënat e grumbulluara nga 2017 deri në vitin 2025 u finalizua në mars 2026 dhe është i integruar në platformën ndërkombëtare IDMS, ku për herë të parë familjarët mund të raportojnë raste të reja dhe të kërkojnë informacion në sistem.
Në fushën e grumbullimit të materialeve arkivore nga institucionet publike, sistemi ka hasur vështirësi.
Sa i përket edukimit të të rinjve për të kaluarën komuniste, Autoriteti i Dosjeve ka ndërmarrë hapa duke zhvilluar lexime e informime nëpër shkolla, por nuk janë përfshirë orë ekstrakurrikulare në shkolla.
Mediateka, platforma online e arkivit digjital, ka marrë formë teknike gjatë vitit 2025, por bërja plotësisht funksionale për publikun e gjerë pritet të realizohet gjatë vitit 2026.
/r.e/a.f/