E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Rritet papunësia në shkallë kombetare, 3-mujorin e parë arrin 14.5%

TIRANE- Sipas vlerësimeve të marra nga Anketa Tremujore e Forcave të Punës 2012-2013 (ATFP) gjatë tremujorit të parë sivjet shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç në Shqipëri llogaritet në 14.5% dhe shkalla e papunësisë afatgjatë, 11%.

Sipas INSTAT-it, krahasur me tremujorin e parë 2012 shkalla e papunësisë është rritur 1.1% dhe vlerësohet të jetë më e lartë për meshkujt se për femrat. Kjo tregon nivel më të lartë të kërkimit të punës nga meshkujt dhe nivel më të lartë inaktiviteti nga femrat.

Në 3-mujorin e parë 2013 për meshkujt shkalla e papunësisë llogaritet 15.8% dhe për femrat 12.9%.

Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë ishte 24% dhe krahasuar me tremujorin e katërt 2012, rezulton të jetë ulur me 1%.

Për popullsinë 30-64 vjeç në tremujorin e parë shkalla e papunësisë ishte 11.3% dhe shkalla e papunësisë afatgjatë, 9.1%.

Sipas anketimeve të kryera nga INSTAT, shumica e të papunëve u drejtohen të afërmve, miqve dheshokëve për të gjetur një punë.

Por kjo metodë kërkimi për punë është kombinuar edhe me aplikimin direkt tek një punëdhënës, me vendosjen e lajmërimeve në gazeta, studimin e lajmërimeve për vende të lira pune në gazeta, etj.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›