E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: U rrit papunësia në tremujorin e katërt të 2008

INSTAT-i ka publikuar dje shifrat e punësimit në vend. Ndryshe nga vitet e mëparshme, fundi i 2008-ës duket se tregon për një kthim të tendencës së punësimit. 

TIRANE- Tremujori i fundit i vitit të kaluar rezulton me një tendencë në rritje të papunësisë, jo vetëm ndaj tremujorit të tretë, por edhe ndaj tremujorit të dytë. Në përgjithësi, një tendencë që vazhdon për dy tremujorë rresht në aspektin negativ, teorikisht në makroekonomi konsiderohet si "krizë".

INSTAT-i ka publikuar dje shifrat e punësimit në vend. Ndryshe nga vitet e mëparshme, ku konstatoheshin rritje të lehta të papunësisë tremujorin e fundit të vitit, por jo në krahasim me tremujorët e mëparshëm, fundi i 2008-ës duket se tregon për një kthim të tendencës. Edhe ky është një nga treguesit e qartë të faktit që, pavarësisht nga retorika, kryesisht euforike e qeveritarëve, kriza globale ka pasur pasojat e saj të pashmangshme mbi ekonominë dhe familjet shqiptare.

Sipas Institutit të Statistikave, në fund të vitit të kaluar, në vendin tonë numëroheshin 1.115.562 forca të afta për punë. Nga këto, rezulton se mbi 974 mijë janë të punësuar në sektorët shtetëror dhe privat. Ndërkohë, afro 141 mijë e 500 të tjerë rezultojnë zyrtarisht si të papunë. Gjatë tremujorit të katërt 2008, forca e punës është rritur me 5.594 vetë që nga tremujori i tretë i këtij viti.

Sipas INSTAT-it, në sektorin privat jobujqësor gjatë këtij tremujori vihet re një rritje prej 1.78% e numrit mesatar të të punësuarve, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2008. Kështu, nga 542 mijë që ishte kjo shifër, e pandryshuar që nga viti 2006, aktualisht të punësuarit në sektorin bujqësor llogariten 568.549 persona. Instituti nuk jep hollësi lidhur me këtë rritje të numrit të të zënëve me punë në këtë sektor, që duket qartë se, jo vetëm në kohë krize, është goditur më rëndë nga politikat inefikase qeveritare.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›