INSTAT: Volumi i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit, rritje me 15,4 %

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Volumi i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit është rritur me 15,4 %, gjatë tremujorit të katërt të vitit që lamë pas, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas raportit të publikuar nga INSTAT mbi transportin e mallrave në rrugë detare, Porti i Durrësit është porti kryesor në vend prej të cilit, gjatë tremujorit të katër 2024, janë transportuar 94,3 % e volumit të mallrave të transportuar me det, ose 1,8 milionë tonë mallra.
Grupi “koks dhe produktet e rafinuara të naftës” përbën 20,5% të mallrave të transportuara nga portet. Grupi i mallrave “metale bazë; produkte metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve” përbën 17% të mallrave të transportuara.
Grupi “produkte të tjera minerale (jo metalike)” përbën 12,6% të mallrave të transportuara.
Grupi i mallrave “qymyr dhe linjit; naftë bruto dhe gaz natyror” përbën 5,8% të mallrave të transportuar.
Në Shqipëri operojnë katër porte detare të cilët shërbejnë për transport mallrash: Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe porti i Limjonit (Sarandë). /j.p/
