E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Jaupllari: Bashkëpunimi me UBT përforcon kapacitetet e pushtetit lokal

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Zv/ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari në një tryezë të përbashkët me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës Fatbardh Sallaku dhe përfaqësues të bashkive të vendit diskutuan mbi bashkëpunimin me UBT në sektorin e bujqësisë.

Jaupllari vlerësoi bashkëpunimin me UBT si një hap që rrit e përforcon kapacitetet e pushtetit vendor në shërbim të komuniteteve.

Gjatë fjalës së tij, Jaupllari u ndal në disa prej sektorëve ku studentë dhe profesorë të UBT-së po bashkëpunojnë dhe kontribuojnë në zhvillimin e projekteve që i vijnë në mbështetje komuniteteve lokale dhe zhvillimit ekonomik të zonës.

“20 projekte parafizibiliteti për zgjedhjen efikase të të mbjellave; 10 manuale prodhimi dhe tregtimi për fermerët; 10 plane zhvillimi rural dhe agroturistik që do të transformojnë zona të tëra; 100 sesione trajnimesh për të fuqizuar kapacitetet e administratës dhe fermerëve tanë, janë disa nga nismat që po zbatohen dhe konkretizohen falë bashkëpunimit me UBT-në”, tha Jaupllari.

Ai veçoi se një tjetër hap i rëndësishëm është edhe zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit bujqësor që e afron vendin tonë me standardet e BE-së.

“Ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm që na afron edhe më shumë me standardet e BE-së, duke rritur cilësinë e shërbimeve si edhe mundëson tërheqjen maksimale të fondeve europiane nga bashkitë tona, me fokus zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor”, theksoi Jaupllari. /j.p/

1 nga 6

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›