E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Punimet te “Sheshi Shqiponja” – Lumi i Tiranës, qeveria jep 103 milionë lekë për shpronësimet

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Në kuadër të vijimit të punimeve për projektin që kalon nga “Sheshi Shqiponja” tek lumi i Tiranës, loti 1, faza 2”, Këshilli i Ministrave miratoi sot shpronësimin e pronarëve të disa pasurive të paluajtshme për interes publik.

Sipas vendimit të qeverisë, shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme, 103 096 750.18 lekë.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 103 096 750.18 lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Autoritetin Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Autoritetin Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›