E Enjte, 5 Nëntor 2026

INSTAT publikon anketën e strukturës së të ardhurave nga puna

Të ardhurat nga puna rezultojnë më të larta në aktivitetet financiare dhe të sigurimit me reth 586 lekë për orë pune. Në këtë aktivitet meshkujt kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkuj janë rreth 609 lekë dhe për femrat rreth 571 lekë.

INSTAT publikoi Anketën e Strukturës së të Ardhurave nga Puna për vitin 2018, e cila siguron të dhëna të sakta dhe të harmonizuara mbi të ardhurat nga puna me shtetet anëtare të BE-së, të cilat përdoren për politikë-bërje dhe qëllime kërkimore. Rezultatet janë të dobishme edhe për krijimin e një strategjie të mirë për menaxhimin e burimeve njerëzore.

Rezultatet e Anketës së Strukturës së të Ardhurave nga Puna tregojnë se në aktivitetin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, të ardhurat nga puna janë më të ultat në rang ekonomie me rreth 187 lekë për orë. Në këtë aktivitet diferenca midis të ardhurave për punë midis femrave dhe meshkujve është shumë e ngushtë, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 186 lekë dhe për femrat rreth 189 lekë.

Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë në aktivitetin e industrisë nxjerrëse me rreth 34,9% . Në këtë sektor hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në profesionin e specialistëve me arsim të lartë (profesionistë) me rreth 60,4 % dhe më i ulët në profesionin e menaxherëve me rreth – 47,1%.

Në aktivitetin e shërbimeve administrative dhe mbështetëse, hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i ulët me rreth -11,5% . Në këtë sektor hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në profesionin e zejtarëve, artizanëve dhe profesioneve të lidhura me to, me rreth 31,7% dhe më i ulët në profesionin e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë dhe pyjeve, me rreth -15,8%./a.gjonaj/

ATSH

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›