INTERVISTA/ Artan Hoxha shpjegon konfliktin e Berishës me Haklajt dhe shton: Edhe Blloku sruhej si shtëpia e tij
Artan Hoxha, një gazetar me karrierë të gjatë në investigime, veçanërisht në atë që e quan dosja Tropoja analizon në këtë intervistë për DITA masat e shtuara të sigurisë së kryeministrit të vendit të shtrira edhe në 100 metra që ndajnë shtëpinë e tij nga zyra në kryeministri.
Z.Hoxha, vihen re gjithmonë e më tepër truproja rreth kryeministrit, përherë e më tepër masa sigurie. Pamja e antiplumbit poshtë veshjes është shpesh e dukshme. Ju si gazetar veteran i kronikës, si e shikoni këtë situatë? Paranojë apo diçka tjetër?
Edhe një sy i pastërvitur do ta vinte re se kryeministri Berisha mbrohet gati në masa ekstreme sigurie, gjatë çdo dalje që bën në publik. Masat e sigurisë për kreun e qeverisë janë aq të forta, sa lëviz me mjet të blinduar nga banesa e tij në rrugën Mustafa Matohiti, deri në godinën e qeverisë, që ndodhet vetëm 100 metra larg. Masat e sigurisë për kryeministrin janë shtuar si në asnjë rast të mëparshëm qysh nga vitet 90 e deri më sot. Rruga Mustafa Matohiti, ku ndodhet banesa e tij, është e bllokuar për lëvizjen e çdo mjeti civil, me përjashtim të eskortës së kryeministrit dhe ndonjë mjeti të rrallë të ambasadës iraniane apo trupit diplomatik. E gjithë gjatësia e rrugës para banesës së kryeministrit, nga ministria e Integrimit deri në Rrugën e Elbasanit, mbulohet me shërbim 24 orësh nga Garda e Republikës, në hyrje dhe në dalje. Mbahet nën mbikëqyrje të rreptë çdo lokal privat që ndodhet në këtë zonë dhe çdo kalimtar i rastit që kalon aty. Është e njëjta situatë, madje në kushte më të rrepta, se mbikëqyrja e ish-Bllokut gjatë kohës së komunizmit. Garda e Republikës është e angazhuar në sigurinë e kryeministrit si asnjëherë më parë. Nëse do të merrnim për bazë parametrat e rendit dhe sigurisë në Shqipëri, që pretendon kryeministri Berisha dhe agjencitë e zbatimit të ligjit nën varësinë e tij, atëherë kreu i qeverisë duhej ta përshkonte më këmbë çdo mëngjes e çdo mbrëmje rrugën prej 100 metrash nga banesa e tij deri në godinën e kryeministrisë dhe anasjelltas. Deri sa kjo gjë nuk ndodh, sigurisht që ka një arsye të fortë pse Garda e Republikës e mbron gati në kushte ekstreme kreun e qeverisë.
A duket normale një situatë e tillë për syrin e qytetarëve?
Sigurisht që jo. Personalisht mendoj se këto masa janë jo vetëm tepër të ekzagjeruara, por edhe mjaft të kushtueshme për buxhetin e shtetit.
Pse ka kaq frikë kryeministri sipas mendimit tuaj?
Gjatë 16 viteve të fundit, si reporter i terrenit më është dashur të mbuloj shumë ngjarje, në të cilat kryeministri në jo pak raste ka interferuar politikisht, për të mos thënë që në disa prej tyre ka qenë i përfshirë direkt. Në emisionin Xhungël, gjatë publikimit të Dosjes Tropoja, më është dashur të publikoj regjistrimin e fjalimit të Berishës gjatë vizitës së tij në Bajram Curri në qershor të vitit 1997. Në të paktën katër momente, dëgjohet qartësisht Berisha (në atë kohë presidenti i vendit) ti kërkojë grupit të ngushtë të shoqërimit, se duhet të kapin me patjetër dhe ta marrin me vete, drejt Tiranës, djalin e vogël të familjes Haklaj (Shkëlqim Haklaj). Berisha thotë: E dua gjallë a vdekur atë unë. Shiko merrni masa se nuk largohem pa e marrë me vete atë unë etj. Bëhet fjalë pikërisht për Shkëlqim Haklajn, i cili ekzekutohet në një pritë të organizuar mirë, gjashtë muaj më vonë, më 5 janar 1998, së bashku me Artur Demirin, kunatin e Fatmir Haklajt. Kjo vrasje e pazbuluar kurrë, shërbeu si zanafilla e një zinxhiri të gjatë vrasjesh dhe atentatesh të njëpasnjëshme, që përgjakën Tropojën dhe shkaktuan mbi 150 viktima. Kjo vrasje e dyfishtë, nxori jashtë kontrollit Fatmir Haklajn, deri në atë kohë shefi i komisariatit të Bajram Currit, dhe prishi ekuilibrat e brishtë në veri të vendit. Berisha nuk ua fali Haklajve pritjen që i rezervuan në qershorin e 1997-ës (vizita e fundit e Kryeministrit Berisha për më shumë se 13 vite në vendlindje) dhe po ashtu faktin që po ia kthenin vendlindjen e tij në një tokë të djegur. Sipas Haklajve, pas çdo vrasje të njerëzve të tyre, qëndronte Berisha dhe dora e zgjatur e tij në Tropojë. Nga ana tjetër, Berisha ia doli në atë kohë të mbaj nën presion qeverinë socialiste se po bashkëpunonte me Haklajt dhe njerëzit e tyre. Është fakt se Berisha, pavarësisht situatave të ndryshme që ka kaluar nga viti 1997, nuk i ka përmendur kurrë me emër Haklajt, ndryshe nga Azem Hajdari. Berisha, edhe pse u informua i pari se autori i vrasjes se Azem Hajdarit ishte Fatmir Haklaj, nuk ia përmendi kurrë emrin atij sa ishte gjallë. Raste të tjera ku kryeministri është akuzuar personalisht nga familjarë të viktimave të tij është ai i Remzi Hoxhës. Djali i këtij të fundit, Ardian Hoxha, e fajësoi publikisht Berishën, në momentin që gjykata e Tiranës i shpalli të pafajshëm katër ish-drejtuesit e lartë të SHIK-ut. Berisha është në gjak me ne, tha pas gjyqit Ardian Hoxha. Të njëjtën gjë kanë deklaruar për emisionin Xhungël vëllezërit e Hekuran Dedës dhe babai i Aleks Nikës, të vrarë para kryeministrisë në demonstratën e 21 janarit 2011. Është fakt se masat e sigurisë ndaj kryeministrit janë marrë qysh pas ngjarjeve të 21 janarit. Këto masa gati janë dyfishuar pas momentit kur Gjykata e Krimeve të Rënda liroi nga banka e të akuzuarve komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe shefin e shtabit të njësisë speciale Agim Llupo. Për familjarët e viktimave në të gjitha këto raste nuk kishte më dyshime se pas vrasësve me uniformen dhe armët e shtetit, qëndronte pikërisht kryeministri Berisha. Mjaftojnë vetëm këto raste që përmenda me lartë, për ta justifikuar kryeministrin ta marrë seriozisht sigurinë e tij.
Ju jeni një gazetar që keni ndjekur në vijimësi konfliktin e Berishës me Haklajt. Përflitet rreth paranojës të të gjithë rrethit të tij të sigurisë ndaj një nipi të Haklajve që ka bërë dhe shumë kualifikime ushtarake jashtë vendit. Mund të jetë kjo një arsye?
Është vërtetë se një nip i Haklajve, ish-oficer i trupave komando, pjesëmarrës në dy misione të forcave tona jashtë vendit, dhe i trajnuar nga akademi më prestigjioze në Perëndim, është larguar vullnetarisht nga detyra. Kjo gjë ka ndodhur kur në një atentat, në 8 maj të vitit 2002, i janë vrarë babai Cen Haklaj (drejtor i gjimnazit të Bajram Currit) dhe gjyshi i tij, Elez Haklaj, 78 vjeç, të papërfshirë në asnjë nga vrasjet e shumta të ndodhura n