E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet Java për Çamërinë, Idrizi: Një ditë do kthehemi, nuk jemi për ndryshim kufijsh

Share

Është mbyllur me një marshim drejt pikës kufitare të Qafë-Botës Java e Çamërisë. Me mijëra njerëz iu bashkuan këtij marshimi, ndërkohë që posterat dhe flamujt I Love Çamëria kanë pushtuar jo vetëm Tiranën. Një organizim spektakolar dhe shumë i kushtueshëm ka qenë ky për PDIU. Një regji qendrore ka transmetuar përkujtimoren e organizuar në pikën e Qafë Botës, ndërkohë që të gjitha stacionet televizive informative janë lidhur live me këtë eveniment. Bashkë me Shpëtim Idrizin në këtë marshim është bashkuar edhe Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë.

Fillimisht marshuesit janë ndalur tek Varrezat e Kllogjerit. Aty u ndezën qirinj në nderim të viktimave të spastrimit etnik. Kurse deputeti i PDIU, Dashamir Tahiri dhe lideri i VV, Albin Kurti, mbollën nga një rrënjë ulliri. Nis kështu puna për ndërtimin e varrezës dhe një memoriali për të përkujtuar viktimat çame.

Pas vendosjes së gurit të parë për ndërtimin e varrezave çame, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka deklaruar se, ky është guri i themelimit të çështjes çame.

Këto varreza, ka shtuar Idrizi, janë detyrimi moral për pararaardhësit, prandaj ai i qujti këto varreza, pikë kthese për çështjen çame.

Më pas të pranishmit marshuan drejt pikës kufitare. Shpëtim Idrizi deklaroi përpara të pranishmëve se një ditë ata do kthehen në Çamëri. Ai tha se Greqia e ndërtoi homogjenitetin e vet duke masakruar çamët, por edhe hebrenjtë. Idrizi premtoi se do miratohet një rezolutë në Kuvend për çështjen çame, pasi ka marrë premtimin e deputetëve të Kuvendit shqiptar. Kreu i PDIU u shpreh po ashtu se një ditë ata do kthehen në Çamëri dhe do ndërtojnë një varrezë për çamët e masakruar aty. Në 100 vjetorin e Shqipërisë shtet, ne kemi një platformë për çështjen çame, ata që na pengojnë për realizimin e drejtësisë, ju themi që ne nuk jemi për ndryshimin e kufijve, ne e duam Europën. Nuk gëzohemi për fatin e Greqisë, ne aty kemi tokat dhe pronat tona, dhe ne do kthehemi në Çamëri, do bëjmë edhe atje varreza. Brenda Europës ka shanse për ta zgjidhur këtë çështje. Në drejtësinë europiane ne do tregojmë se gjenocidi duhet riparuar me drejtësi, u shpreh kreu i PDIU. Idrizi tha se ata kanë krijuar në vend një frymë të re nacionalizmi. Ai shtoi se si parti ata kanë qenë kundër marrëveshjes së ujërave.

Për çamët që jetojnë ende në Greqi Idrizi premtoi se do kërkojë për ta statusin e minoritetit, që edhe ata të kenë shkalla në gjuhën e tyre.

Më pas ka folur edhe Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai bëri avokatinë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën dhe theksoi se pas bashkimit tonë, do na bashkohen edhe copa të tjera të shkëputura nga trungu, të cilat gjenden në Mal të Zi, Serbi, etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›