E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTA/ Bojaxhi: Peripecitë e ngjitjes në Everest

Share

Historia unikale e Gjergj Bojaxhi dhe pesë alpinistëve të tjerë shqiptarë, që ngjitën majën më të lartë të botës më 25 maj. Bojaxhi: Everesti nuk krahasohet me asnjë sfidë tjetër në këtë botë. Aklimatizimi, stërvitja ekstreme dhe të vdekurit që gjetëm rrugës për në majë. Si i solla mbrapsht lodrat e fëmijëve që kisha marrë me vete

Nga Gladiola Bendaj

Revista JAVA

Zoti Bojaxhi, nëse do t’ju pyesnin sot se me çfarë do e krahasonit ngjitjen në Everest, cili do të qe krahasimi?

Nuk do ta krahasoja me asgjë tjetër në botë. Në kuptimin e simbolikës asgjë tjetër nuk i afrohet, sepse ishte 100 vjetori i Pavarësisë dhe është maja më e lartë e botës, e për më tepër ishte për herë të parë. Ndërsa në aspektin e ngjitjes në vetvete, në kuptimin e vështirësive etj., etj., të paktën nga eksperienca ime alpinistike, dhe unë jam marrë për shumë vjet me alpinizëm, asnjë gjë që ne kemi bërë deri tani nuk krahasohet me këtë ekspeditë. Qoftë në kuptimin e gjatësisë si ekspeditë, qoftë në aspektin e lartësisë së majës, sepse maja më e lartë që unë dhe grupi im kemi ngjitur deri para Everestit ka qenë 5600-5900 metra dhe në aspektin e lodhjes fizike dhe e vështirësive fizike

Çfarë menduat më së pari kur vutë këmbën në majë?

Nuk kam menduar, kam qarë nga gëzimi. Kjo që gjëja e parë që kam bërë. Siç duket stresi i dy muajve, presioni i përgjithshëm, fakti që kishim arritur në majë dhe pavarësisht se kishim besim tek vetja, prapë ishte diçka e pabesueshme, gati sureale. Kështu që reagimi i parë ka qenë emocional, nuk ka qenë logjik.

Cili ka qenë momenti më i vështirë i gjithë ekspeditës? A ka pasur ndonjë moment kur keni rrezikuar jetën?

Unë do të thosha që momenti më i vështirë ka qenë periudha e aklimatizimit, ose e stërvitjes që ne bëmë atje në majë. Sepse aklimatizimi është përshtatje e trupit me atë lloj klime dhe atmosfere. Katër javët e para ka qenë periudha më e vështirë gjatë gjithë ekspeditës. Mendoj, jo vetëm për mua, por për të gjithë anëtarët e grupit, ose për një pjesë të tyre më saktë, jo e të gjithëve. Dhe periudhë tjetër e vështirë, ka qenë edhe përballja me pasojat, nëse mund ta quaj. Përpara dy-tri ditësh kam bërë një vizitë tek mjeku, një grafi. Sepse ishte një moment kur fillova të ndiej dhimbje shumë të mëdha në krahun e majtë të trupit. Pas ekzaminimit të para pak ditëve mësova që këto dhimbje janë shkaktuar, sepse shpretka është zgjeruar. Ajo është organi që bën gjithë përpunimin e gjakut dhe gjatë procesit të përshtatjes së trupit me atë lloj klime dhe atmosfere, shpretka ka qenë një nga organet kryesore që është sforcuar në superpunën e saj. Dhimbja ishte shumë serioze dhe aq e madhe, sa pothuajse nuk po ecja dot dhe nuk lëvizja dot. Kjo ka qenë gjithashtu një periudhë e vështirë, sepse ne nuk kishim mjek me vete dhe nuk arrija të kuptoja se çfarë ishte.

A mund të na i përshkruani shkurtimisht cilat janë sfidat kryesore që paraqet ngjitja e asaj maje?

Nëse do i vendosje në një rend kronologjik, do të thoja se e para me të cilën duhet të përballesh është sfida financiare, sepse kostoja për të ngjitur këtë majë është shumë e lartë, për shkak të taksave të qeverive përkatëse që kanë malin, për shkak të pajisjeve alpinistike që duhen siguruar për këtë lloj aktiviteti, që janë shumë të specializuara dhe shumë të kushtueshme. Më pastaj për shkak të kostove reale që ka ushqimi që do të duhet të kesh atje për dy muaj, tendat, menaxhimi i gjithë infrastrukturës mbështetëse që ka nevojë një alpinist, që të ngjisë këtë lloj mali për një ekspeditë kaq të gjatë. Kështu që sfida e parë është një sfidë financiare, për të pasur mundësi sponsorizimi, si në rastin tonë.

Sfida e dytë është me veten, sepse dihet që kërkohet një përgatitje shumë e mirë fizike. Për këtë kërkohet një impenjim paraprak, për një periudhë minimumi 6-mujore apo një vjeçare, që të bësh një stërvitje serioze. Unë kisha rreth një vit që përgatitesha, por gjashtë muajt e fundit kanë qenë një përgatitje intensive, që do të thotë gjashtë herë në javë nga 4-5 orë në ditë. Praktikisht, zyra ime, për gjashtë muaj, ka qenë palestra. Përgatitja ka dy faza kryesore. Është përgatitja fizike atletike që ne e kemi bërë këtu në Shqipëri dhe përshtatja, apo aklimatizimi, që ka të bëjë me përshtatjen e trupit me atë lloj klime dhe atmosfere që është atje. Kjo kërkon lëvizje të caktuara, me metodikë të caktuar. Kjo është sfida e tretë dhe zgjat rreth një muaj e dhjetë ditë. Gjatë kësaj kohe, mbi të gjitha duhet të kesh vullnetin dhe durimin që të përshtatesh me këtë lloj atmosfere. Duhet të mësosh të pranosh metamorfozën që kalon trupi yt, e cila është shumë e dhimbshme. E dhimbshme në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, sepse je 24 orë nën një lloj dhimbje fizike konstante. Është një lloj dhimbje ku ti ndihesh shumë keq në të gjitha aspektet, dhimbja e kokës, lodhja fizike, frymëmarrja.

Keni thënë se keni gjetur trupa alpinistësh të vdekur gjatë rrugës. Sa e vërtetë është kjo? a mund të na jepni ndonjë detaj?

Është e vërtetë që ne kemi parë rreth 10-12 trupa të vdekur në majë, në 300 metrat e sipërme të majës. Njëri prej tyre ishte një alpinist spanjoll, i cili kishte vdekur një javë përpara ngjitjes sonë dhe ai dallohej nga të tjerët, sepse edhe rrobat i kishte më të reja. Ndërsa trupat e tjerë dalloheshin që nuk ishin të këtij viti, ishin të viteve të mëparshme, sepse veshjet ishin më të djegura nga dielli dhe dalloheshin. Një pjesë të këtyre trupave i pamë gjatë natës, kur po bënim marshimin në ngjitje, sepse ishin praktikisht në buzë të shtegut ku ne kalonim. Madje ndonjëherë na duhej të shmangeshim nga shtegu, duke bërë ndonjë devijim të tij rreth një metër më në anë, për të mos kaluar mbi trupa që ishin aty të vdekur në shtegun e kalimit. Të gjithë këto trupa dukeshin që nuk ishin raste aksidentesh në kuptimin e rënieve, ishin njerëz që u kishin mbaruar energjitë, nuk lëviznin dot më dhe pastaj, në mënyrë graduale kanë ngrirë. Pra nuk ishin rrëzime, sepse po të ishin të tilla do ishin poshtë në humnerë dhe nuk do arrije ti shikoje dot. Atyre thjesht u kanë shterur fuqitë dhe askush nuk ka pasur mundësi ti ndihmojë, sepse siç ua thashë edhe pak më parë, në atë lloj lartësie është praktikisht e pamundur që dikush tjetër të të ndihmojë, nëse nuk arrin të ecësh vetë, në atë formë terreni. Duhet të theksoj që nga faqja tjetër e malit nga ana e Nepalit në pjesën jugore, – pasi në ngjitjen e bëmë nga ana e Tibetit, – për arsye të terrenit dhe të relievit, është më e mundshme për të shpëtuar dikë kur nuk ecën dot, sepse terreni ka tjetër lloj karakteristike dhe është e mundur ta zbresësh poshtë. Ndërsa nga ana veriore që ne bëmë ngjitjen, që ka vështirësi më të larta teknike, në atë lloj lartësie, në 300 metrat e fundit, ishte praktikisht e pamundur të ndihmoje dikë që të lëvizte, nëse skishte fuqi ta bënte vetë. Në këtë krah, njerëzit, edhe kur kanë pasur shoq

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›