Nishani: Nuk krijoj konflikte me Berishën, PS më nxori çnjerëzisht nga shtëpia
Presidenti i ri, Bujar Nishani, ka nisur serinë e shumtë të intervistave. Kësaj here ka folur për Planet TV. Ai ka shpjeguar aty se mustaqet i mban që të ngjajë me gjyshin nga nëna, të cilin e vlerësonte shumë.
I pyetur për rolin e tij në ngjarjet e Shkollës së Bashkuar, Nishani ka përsëritur se ai ishte me grupin që u kundërvihej atyre që donin të rikthenin bustin e Enver Hoxhës.
Madje Nishani shkon më tej e thotë se për këtë arsye është ndëshkuar nga socialistët.
Ka qenë qëndrimi im dhe sjellja ime në vitet 90 duke bërë që ata që kishin qenë drejtues të asaj kohe më larguan jo vetëm nga puna, por bashkë me familjen time jam nxjerrë në mënyrë çnjerëzore nga objekti ku unë rrija me qera, pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, pranë Ministrisë së Jashtme, tha Nishani.
Presidenti i ri deklaroi se sëmundja nuk e pengon të bëjë punën. Ai tha se nuk ka ndërmend të krijojë konflikte me kryeministrin dhe as me deputetët e mazhorancës dhe të opozitës. Nishani ka preferuar të bëjë vlerësim për paraardhësit e tij, por nuk ka komentuar figurën e Topit për sa kohë është në detyrë. Berishën ai e quajti një personalitet që është në kulmin e aktivitetit të tij ende.