Qetësi në klasë, po flet mësuesi! Në një orë mësim, mësuesi flet 32 minuta
Mësues që vetëm flasin gjatë gjithë kohës dhe nxënës krejtësisht pasivë, që bëjnë shpesh sikur dëgjojnë. Sipas një studimi të fundit të bërë nga Banka Botërore me titull Si mësuesit japin mësim në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm, mësimdhënia në vendin tonë shihet si e prapambetur dhe tradicionale, raporton Panorama.
Në studim thuhet se në një orë mësimi 45 minutëshe, mësuesi flet për 32 minuta, ose 70 përqind të kohës. Në 13 minutat e mbetura nxënësit flasin 10.5 minuta. Vetëm 30 sekonda janë ide të nxënësve, kurse heshtje është 2.5 minuta. Në studim thuhet se punët në grup janë të pakta, kurse njësoj si letërsia e shkencat shoqërore jepet mësim edhe për lëndët e teknologjisë së informacionit e komunikimit.
Mesatarja e nxënësve është 37.8 për klasë. Në 38 përqind të klasave mungon ndriçimi, kurse një në gjashtë klasa ka banka jocilësore. Në studim thuhet se edhe se kjo metodë mësimdhënie është e njëjtë thuajse në gjithë territorin e vendit.