INTERVISTA/ Halimi: Heqja e imunitetit do të pakësojë shpifësit
Intervistë për JAVA me Ministrin e Drejtësisë, z.Eduart Halimi. Si e shikon ai problemin e heqjes së imunitetit, reformën në drejtësi, marrëdhëniet e kryeministrit me presidentin Topin dhe e vërteta për 21 Janarin. Çështjet e transferimit dhe promovimit të gjyqtarëve janë kthyer në barsoleta mes tyre. Aq sa dhe unë nganjëherë nuk i besoj, derisa ndonjëri prej tyre fillon dhe më tregon sms-të e shkëmbyera. Sigurisht që nuk janë prej z. Topi, por unë nuk kam mundësi të besoj se gjithçka ndodhte ishte jashtë dijenisë së tij. Nuk dua të vazhdoj me këtë histori sepse Presidenti Topi është në fund të mandatit të tij dhe është më mirë të flasim për të ardhmen.
Unë jam njeri optimist nga natyra, dhe kam besim të plotë që Presidenti i ri, me integritetin dhe përgjegjshmërinë e lartë që e karakterizon, do të bëjë ndryshimin e madh që gjithë shqiptarët presin në këtë proces të rëndësishëm në të cilën ndodhet vendi.
Nga Ben Andoni
JAVA
Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, e justifikon gjithçka. Por është i ndërgjegjshëm që sistemi i drejtësisë ka probleme. Nuk lë në asnjë moment, pa e ngacmuar disi Opozitën, një fakt, që është i zakonshëm nga krerët e dikastereve tona. Pastaj: Reforma në drejtësi po realizohet dhe ajo e ka bërë lidere Shqipërinë në rajon. Kurse, sa i përket plagës reale, sistemit të drejtësisë, përgjigja është direkte: problem ka përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien dhe jo pavarësinë. Nuk përgjigjet direkt për 21 Janarin, por për emërimet e Topit tregon se kanë qenë gati groteske. Imuniteti? Duhet që të marrin fund shpifësit dhe përbaltësit, shpjegon…
Juve jeni shprehur se forca politike që përfaqësoni është gati të mirëpresë, të gjitha dispozitat e propozuara nga Opozita në lidhje me Imunitetin. Çfarë e step, sipas jush, Opozitën që të ndërmarrë një hap të tillë? (Edhe pse Opozita është shprehur pro heqjes!)
Imuniteti nuk është një mbrojtje personale e deputetit apo e zyrtarit ashtu siç shpesh kuptohet nga publiku. Në të vërtetë, imuniteti është mbrojtje që i jepet institucionit, në mënyrë që të ruhet funksioni normal i institucionit. Ky është parimi themelor mbi të cilën ngrihet. Është një lloj kostumi që zyrtarit ia japin sapo fut këmbët në një institucion, parlament, qeveri apo gjyqësor.
Por nga tjetër është tendencë edhe e zyrtarëve ta kuptojnë këtë, si një kostum personal, si koracë, ndaj ndjekjes penale.
Qëndrimi i opozitës në këtë pikë është gati alogjik dhe duket se ka rënë vetë në një kurth të pakuptueshëm, kurth të cilin e ka ngritur po vetë. Unë gjykoj se veprimi më normal që duhet të bëjë çdo opozitë është që të kërkojë heqjen e imunitetit për ti lënë zyrtarët, përgjithësisht mazhorancën qeverisëse, në dorë të lirë të prokurorisë.
Këtë kemi bërë dhe më 2003 kur e kemi kërkuar. E kuptoj qëndrimin e atëhershëm të Partisë Socialiste pse e refuzoi heqjen e imunitetit pasi ishte në qeveri. Sot, është ndryshe tërësisht. Partia Socialiste është në Opozitë, kërkoi që heqja e imunitetit të bëhej në Kushtetutë, e kërkoi me ngulm këtë në publik, pastaj ra përsëri brenda vetë, kur të gjithë i thanë: Dakord, do bëjmë ashtu si ti kërkon.
Pas kësaj, tha se duheshin 8 pika dhe se kjo nuk bëhet derisa jemi para zgjedhjeve! Sigurisht që publiku nuk është naiv dhe e kupton se dy janë arsyet në lidhje me këtë. E para opozita si gjithmonë kërkon të nxjerrë pengesa për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin nëntor dhe të vazhdojë sërish rolin e saj bllokues. Ky kurth që u mundua të ngrejë për kundërshtarin politik, si shkaktar për mosintegrimin, po i kthehet sërish asaj, sepse nuk po pranon versionin e heqjes së imunitetit e kërkuar nga vetë ajo, dhe të certifikuar nga ekspertët më të mirë të KiE dhe BE. E dyta është pengesa që Ramës ia kërkojnë njerëz të lidhur me të, zyrtarë, të cilët e shohin korracën e imunitetit si koracë për ti shpëtuar dorës së drejtësisë. Dhe Rama e di që kjo është e vërtetë.
A duket se heqja e imunitetit do të ndikojë që ta dobësojë dhe më tej denoncimin në parlament të rasteve të shumta korruptive në vend, duke llogaritur vetëfrenimin që mund të kenë deputetët për të bërë kritika dhe hedhur akuza konkrete?
Unë mendoj të kundërtën. Ka një pjesë deputetësh në parlament që protagonizmin e tyre e mbështetin vetëm në një veprimtari: atë të përbaltjes së kundërshtarit. E kanë kthyer portretin e tyre, si personifikim të denoncuesit, kur në të vërtetë shpesh janë vetëm përbaltës, dhe asgjë më tepër. Vetë ata, e dinë se hetimi pa asnjë letër, pa asnjë fakt apo provë nuk të çon askund dhe ecin me teorinë shpif-shpif se diçka do ngelet. Nëse vërtet hetimi do të çojë në zbulimin e së vërtetës dhe dënimin e korrupsionit, kjo do të çojë në inkurajimin e të gjithë denoncuesve realë, se kallëzimi i tyre i shërbeu publikut, por nga ana tjetër do të sillte dhe reduktimin e shpifësve dhe përbaltësve.
Dhe, unë gjykoj se kjo është më e mira që qytetaret duan. Ata duan të shohin se kur dikush ngre një akuzë në parlament, duan të dinë sa më shpejt të vërtetën në dritë të diellit.
Sistemi ynë i drejtësisë, megjithë reformat, duket se nuk funksionon si duhet. E dëshmojnë këtë dhjetëra raporte ndërkombëtare të prodhuara ndër vite, ku sistemi i drejtësisë cilësohet si njëri ndër segmentet më problematike të shtetit. A është e saktë të thuhet se drejtësia është njëri ndër dështimet e mëdha të dy dekadave tranzicion? Në këtë aspekt, çfarë do të duhet të përmbante, shkurtimisht, një reformë e madhe e sistemit të drejtësisë, që do të shëronte plagët e tij tradicionale?
Sistemi i drejtësisë ka probleme dhe sigurisht që askush nuk i mohon ato. Sistemi i drejtësisë nuk janë vetëm gjykatat dhe prokuroria. Sistemi i drejtësisë përfshin edhe një numër të madh aktorësh. Nga avokatia, noteria, përmbarimi, regjistrimi i pasurive, sistemi i burgjeve. Reformat që janë bërë në noteri, sistemin e regjistrimit të pasurive, janë reforma historike.
Ato janë reforma që me krenari mund të them se e kanë kthyer Shqipërinë lidere në rajon. Po kështu dhe reforma në përmbarim apo reforma në ekzekutimin e dënimeve nëpërmjet monitorimit elektronik të të dënuarve, po e kthejnë Shqipërinë sërish lider në rajon, për reformimin e thellë të drejtësisë. Ndaj padyshim që janë reforma që të bëjnë shumë optimist për të ardhmen. Reformimi i tyre varet tërësisht tek vizioni dhe vullneti i qeverisë. Dhe qytetarët e shohin