INTERVISTA/ Holandezët e videos së Lazaratit: Si zbuluam Shqipërinë e pabesueshme
Amsterdam – Lazarat / Pushtuan mediat shqiptare me video-ditarin e pushimeve në vendin tonë. Theo Roelofs dhe Daan Vonk, dy të rinj hollandezë, rrëfejnë për “JAVA” eksperiencën e jashtëzakonshme në rrugët e Shqipërisë. “Pamë filmin e Çe Gevarës dhe vendosëm të udhëtojmë me motor në vendin tuaj”
Nga Skender Minxhozi
Revista JAVA
Sa nxehtë bën, e tmerrshme! Ky hoteli kushtoka vetëm 20 euro nata! I gjithë fshati është i mbjellë me drogë, fëmijët shkojnë në shkollë duke çarë përmes plantacioneve të hashashit! Këta që flasin nuk i njeh askush. Janë dy djem nga Amsterdami që kanë zbritur në Tiranë me një fluturim nga Brukseli. Qëllimi: të bëjnë një udhëtim nëpër Shqipëri me motor. Kanë blerë dy motorçikleta të përdorura për 60 mijë lek të reja dhe kanë marrë një rrugë që nuk e njohin. Drejt Jugut, aty ku, veç të tjerash, thuhet se rajone të tëra të mbjella me hashash.
Theo Roelofs dhe Daan Vonk kanë qenë dy nga katër milion turistët e huaj, që ka numëruar qeveria shqiptare gjatë verës së shkuar. Mjaft të rinj, 25 vjeç, ata kanë marrë një udhëtim që sot, pas një viti, pranojnë ta tregojnë ekskluzivisht për Java. Kur i pyesim përse në Shqipëri dhe përse me motorçikletë, përgjigja është e habitshme. Kanë parë filmin Ditari i motorçikletës, që tregon udhëtimin e famshëm të Çe Guevarës nëpër Amerikën Jugore dhe janë frymëzuar prej tij. Nuk ka qenë e lehtë të gjenden dy të rinjtë holandezë, por në erën e teknologjisë gjithçka është e mundur. Kërkesës tonë për një intervistë, ata ju përgjigjën me habi: Si?! Jemi bërë të famshëm në shtyp?! E pranuan me shumë dëshirë kërkesën dhe dërguan përgjigjet e pytejeve dhe një mori fotosh, plus një video përshëndetëse, ku nuk harrojnë të urojnë në shqip Gëzuar- faleminderit! Dy fjalët e vetme që mbajnë mend nga një vend, të cilin e përcaktojnë si të jashtëzakonshëm….sepse aty gjithçka ishte e mundur. Nëse sheh video-ditarin e pushimeve që kanë hedhur në Youtube, por nëse lexon edhe këtë intervistë, kupton se ke në duar përshtypjet më të pastra dhe të paanshme të dy të rinjve që ndeshen me një realitet thellësisht të ndryshëm nga vendi i tyre. Dhe produkti është vërtet interesant. Ata thonë se miqtë e tyre u kanë dërguar shumë mesazhe pas nxjerrjes së videos në internet.
Roelofs dhe Vonk thonë se ky ishte udhëtimi më i bukur i jetës së tyre dhe se do të vinin me shumë dëshirë për një tjetër udhëtim. Lazarati?! Më mirë lexojeni vetë intervistën që po botojmë më poshtë.
Theo Roelofs dhe Daan Vonk, si ju erdhi ideja të bëni një udhëtim me motoçikletë nëpër Shqipëri?
Pamë filmin The motorcycle diaries me Çe Gevarën e ri dhe na pëlqeu aq shumë sa vendosëm të bëjmë edhe vetë diçka të tillë. Nuk kemi motor personal, por motoçikleta i afrohet dhe ishte e vetmja gjë që mund të përballonim financiarisht.
Sa dinit për këtë vend më parë?
Dinim shumë pak për Shqipërinë, por kishim dëgjuar nga udhëtarë të tjerë mbi kulturën e zbutur myslimane dhe mikpritjen e madhe. Kombinuar me çmimet e ulëta, motin e këndshëm dhe distancën relativisht të vogël nga Holanda, ishte një zgjedhje e lehtë.
Cila ishte përshtypja e parë kur mbërritët në Tiranë?
Gjëja e parë që vumë re ishte trafiku i çmendur. As që e kishim idenë si të kalonim rrugën. Por kishte mot të bukur dhe vajza të bukura me taka të larta.
Si e zgjodhët itinerarin në Jug?
Ditën që mbërritëm, blemë një hartë të Shqipërisë. Ditën e dytë blemë motoçikletat. E dinim që ato nuk ishin fort të mira për male të thepisura, ndaj pamë për rrugë të shtruara, pa shumë male. Për ne nuk kishte rëndësi të shkonim në vende turistike apo festive. Donim të përjetonim jetën e vërtetë në Shqipëri.
A kishit informacione të mëparshme për misterin e barit të Lazaratit? A mund të na tregoni detajet e asaj që patë atje?
Dëgjuam për Lazaratin nga njerëz që takuam ditët e para. Fillimisht nuk e kishim në plan të shkonim andej. As që e dinim ku binte. Por na u tha që ishte një vend krejtësisht i rrezikshëm, jo një vend ku mund të shkosh. Pas pak ditësh e kuptuam se rruga na binte pranë Lazaratit. Pyetëm sërish mbi këtë vend dhe askush nuk na këshilloi të shkonim atje. Por menduam se gjithsesi mund të kalonim njëherë. Të gjithë shqiptarët që takuam ishin miqësorë, ndaj menduam: Çfarë mund të shkojë keq? Nëse e shohim punën keq, thjesht kthehemi mbrapsht.
Kur arritëm aty, rruga ishte shumë e thepisur, ndaj mjetet tona ecën shumë ngadalë. Na u desh të përdornim këmbët për tu dhënë pedaleve të motoçikletave dhe të vraponim krah tyre për ti bërë të ecnin. Menjëherë vumë re se gjërat ishin të ndryshme. Të gjithë na ngulnin sytë. Të gjithë na shikonin gjatë udhëtimit, por këtu ishte ndryshe. Makina që kalonin, duke ngadalësuar ulnin xhamin dhe na shikonin se kush ishim. Ne thjesht thonim Hello dhe makinat vazhdonin. Kjo ndodhi disa herë. Mund ti nuhasnim tashmë bimët e barit. Në të gjithë fshatin vinte erë sikur një barpirës të qëndron ngjitur.
Kur mbërritëm kryqëzimin e parë në fshat, ndaluam për të ftohur motoçikletat. Por pa fikur mirë motorët, një tip ndali Mercedesin e tij dhe na pyeti se kush ishim. I thamë se jemi prej Amsterdami. Mund ta kuptoni se kjo është diçka e mirë për tu thënë, kur je në një fshat plot me bar. Ai na tha ta ndiqnim, dhe na çoi drejt qendrës. E çuditshme të shihje se fshati ishte tërësisht normal, me përjashtim të barit. Vajzat dhe djemtë e vegjël ktheheshin në shtëpi në uniforma shkolle. Kishte një lokal bar dhe një ndërtesë të qeverisë vendore. Kështu, ky djali na shpuri të vendi ku filmuam. Kishte kaq shumë bar atje. Vërtet e pabesueshme. Pak a shumë siç duket në video. Ai tipi na shpjegoi si ishin punët me të mbjellat. Anglishtja e tij ishte shumë e mirë dhe familja ia kishte paguar arsimimin me paratë e barit.
Më vonë shkuam të vizitonim familjen e tij. Ata e korrnin barin një herë në vit dhe ne kishim shkuar tamam në kohën e duhur. Ishte një shtëpi e vogël në një oborr prej rreth 500 metra katrorë.
Një pjesë e familjes ishte aty, e zënë në përgatitjen e barit. Kishte një vend të vogël nën një çatizë, ku ai thahej dhe në një prej pamjeve mund ta shihni sesi është vënë të thahet, me ne që i qëndrojmë përballë. Ai djali na kërkoi të mos bënim fotografi, por unë bëra disa. Por ato që duken në video janë të gjitha në fakt. Nuk ka pamje të tjera.
Dhe natyrisht që nuk mund të bënim foto të njerëzve. Ajo që mund të bënim ishte të tymosnim falas. Unë (Theo) kisha një arsye të mirë për të refuzuar, sepse nuk tymos kurrë, por Daan thithi një teke dhe u bë krejt dru për orë të tëra. Këtë e shihni edhe në video, kur ne shpjegojmë çfarë përjetuam. Çmimi që ata merrnin për barin e tyre ishte 10 për qind e asaj që paguan në kafenetë holandeze. Por për familjen e