INTERVISTA/ Piro Lutaj: Ja ku gaboi Nishani me SHQUP. Imami do hetohet për abuzimet në Ministrinë e Mbrojtjes
Shtëpia Qendrore e Ushtrisë është shndërruar në mollën e sherrit mes mazhorancës në ikje dhe opozitës që pret të marrë pushtetin në shtator. Piro Lutaj, deputet i PS-së, por edhe ndjekës i afërt i çështjeve të ushtrisë, sqaron për Klan atë se çfarë ka ndodhur me ushtrinë shqiptare nën drejtimin e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, të cilin e akuzon për një sërë shkeljesh ligjore. Mund të them se kjo është periudha më e errët e funksionimit të FA-së, thotë ai. Më pas, përpiqet të sqarojë çështjen e SHQUP-it, duke dhënë argumente se pse Presidenti Nishani ka shkelur ligjin kur miratoi vendimin për tia dhënë atë ndërtesë PD-së. Në qoftë se ky objekt nuk do të ishte pjesë e planit të shpërndarjes, nuk kishte arsye të vinte deri tek Presidenti i Republikës dhe të kërkonte firmën e tij. Do ishte dorovitur, siç janë dorovitur institucionet e tjera të ushrtisë, si për shembull Klubi i Sportit Partizani apo Qendra Spitalore e Ushtrisë, argumenton Lutaj. E ndërkaq, thotë se qeveria e re do ti kthejë ushtrisë rolin e saj të vërtetë.
Nga Renato Kalemi*
- Zoti Lutaj, si ndjekës i afërt i çështjeve që kanë të bëjnë me ushtrinë dhe anëtar i komisionit parlamentar të Sigurisë, si do ta konsideroni gjendjen aktuale të ushtrisë shqiptare?
Opinioni publik në Shqipëri është i njohur se ne, si ish opozitë, kemi pasur një debat të vazhdueshëm dhe të gjatë me institucionin e ministrisë së Mbrojtjes për disa probleme. Mbi këtë bazë kemi ngritur një grup kontrolli, patëm bërë edhe një plan mbikëqyrës, por veprimet absurde të ministrit të Mbrojtjes e shmangën atë kontroll dhe ne nuk mundëm ta realizonim. Sigurisht, ai plan mbikëqyrjeje u bë mbi bazën e argumentave dhe informacioneve që ne kishim, të cilat vinin kohë pas kohe, siç ishin çështja e shmangies së Forcave të Armatosura nga misioni i tyre luftarak; përdorimi i forcave komando për mbrojtjen dhe sigurimin e një aktiviteti civil; fakte të tjera troditëse si vënia nën kontroll e Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe nxjerrja jashtë funksionit për të përgjuar opozitën dhe personalitete të tjera jashtë misionit të vet ligjor; ndryshimet e strukturave të herë pas hershme në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilët kanë patur postet e tyre, por asnjëherë nuk janë analizuar dhe kanë ndryshuar kohë pas kohe për çudi etj. Por, një fenomen i dukshëm në FA ka qenë sjellja brutale dhe aspak profesionale e drejtuesve të ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm me pronat e ushtrisë, duke filluar me mjetet e saj dhe pronat. Çdo pronë të FA-së Ministria e Mbrojtjes e shiti për skrap. Gjithashtu, në ministrinë e Mbrojtjes janë vënë re shkelje të rënda të ligjit dhe Kushtetutës. Rasti më flagrant ka qenë shkelja e Kushtetutës dhe marrja e kompetencave të Presidentit të Republikës për emërimin e Komandantit të Flotës Detare dhe fenomene të tjera, të cilat janë të njohura për opinionin publik sepse kanë qenë pjesë e debatit politik.
- Siç e thatë, ish opozita ka akuzuar shpesh ministrinë e Mbrojtjes për abuzime të mëdha. Por, a i keni të dokumentuara këto akuza dhe a do ti hetoni, tani pas ardhjes në pushtet?
Në debatet në komisionin e Sigurisë apo në Parlament, ministrin e Mbrojtjes e kemi vendsur para fakteve dhe ai ka pranuar disa prej shkeljeve, si për shembull çështja e emërimit të Komandantit të Flotës në kundërshtim me ligjin. Një emërim të cilin e ktheu dhe dënoi disa aparatçikë të vegjël, pavarësisisht se përgjegjësia ishte e tij. Gjithashtu, ka pranuar veprime të ndryshme të paligjshme që janë bërë me objektet e ushtrisë, të cilat shpeshherë kanë kaluar jashtë destinacionit ligjor. Për këto ka një praktikë të bollshme që të rishikohen. Unë i përkas atij grupi deputetësh që do të kërkojnë nga qeveria e re, jo vetëm pse e ka thënë kryeministri i zgjedhur Edi Rama, monitorimin e institucioneve të këtij shteti, por sidomos institucionet e sigurisë së vendit. Është padyshim e nevojshme që para se funksionarët tanë të marrin drejtimin e institucioneve, ato të monitorohen dhe mbikëqyren, pasi veprimet e paraardhësve kanë qenë dukshëm në kundërshtim me ligjin. Unë i përkas atij grupimi deputetësh të cilët do të kërkojnë, në raport me veprimet e gjithsecilit, që gjithsekush të mbajë përgjegjësitë e vet përpara ligjit. Në qoftë se ne nuk do të vëmë përpara drejtësisë dhe para ligjit njerëz të cilët kanë shkelur në mënyrë të dukshme legjislacionin shqiptar, qoftë ligjet organike, qoftë ato të funksionimit të institucioneve, madje edhe Kushtetutën e vendit, nuk do të realizojmë një nga premtimet kryesore që kemi bërë në fushatë: pra, se do të bëjmë të mundur që të gjithë qytetarët shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit. Prandaj, mendoj se në raport me veprimtarinë e gjithsecilit do të jetë edhe ballafaqimi me ligjin.
- Si do e konsideroni veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes nën drejtimin e z. Arben Imami?
Unë e kam ndjekur veprimtarinë e ministrisë së Mbrojtjes edhe për shkak të funksionit që kam patur në komisionin e Sigurisë, por edhe për shkak të lidhjeve dhe marrëdhënieve që kam me ushtarakë shumë të lartë. Mund të them se kjo është periudha më e errët e funksionimit të FA-së. Më vjen keq ta them këtë. Në këtë rast, duhen veçuar segmente të vogla të ushtrisë, siç janë misionet tona jashtë vendit si pjesë e vendimmarrjeve të mëdha, megjithëse edhe ata kanë pasur problemet e tyre ku shpeshherë nuk janë paguar. Nën drejtimin e Arben Imamit, personeli ushtarak i Forcave të Armatosura të Republikës ka kaluar një nga periudhat më të errëta. Kjo ka të bëjë me denigrimin e kuadrove; siç e shikoni, gjeneralët shtohen dhe hiqen në kundërshtim me ligjin. Në ushtrinë shqiptare kemi dy lloje gjeneralësh: një palë që kanë ikur në mënyrë të padrejtë dhe kanë fituar të drejtën për tu kthyer në detyrë, por kemi edhe disa gjeneralë të bërë me urgjencë, për arsye sepse praktika e gradimit të gjeneralëve është bërë jashtë periudhës kushtetuese e ligjore. Si rregull, gjeneralët gradohen në shtator. Nxitimi i ministrit të Mbrojtjes tregon qartë se janë bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe janë kthyer në beniaminë të tij.
- Pas gjithë këtyre shkeljeve që ju thoni se z. Imami ka kryer në ministrinë e Mbrojtjes, a do ta hetoni?
&n