Dy ish-ambasadorët shqiptarë në SHBA: Sulmet e PD ndaj Arvizu, banalitete të rëndomta nga politikanë imoralë
Dy ish-ambasadorët shqiptarë në SHBA, Fatos Tarifa dhe Roland Bimo, sulmet e fundit të PD-së ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i kanë cilësuar si banalitete të rëndomta një politikanë imoralë.
Më shumë se akuza, ato çfarë znj. Topalli apo ndonjë tjetër kanë thënë, apo shkruar në Facebook për Z. Arvizu, janë banalitete të rëndomta, ose ekuivalenti i zhargonit të saj rrugaçëror në sallën e Parlamentit të Shqipërisë. Unë nuk shoh ndonjë dallim esencial midis togfjalëshit përbuzës njeri i vockël me miopi të theksuar, përdorur nga kjo zonjë, dhe sharjeve e fyerjeve të rëndomta, të përsëritura e mashkullore të saj (shkofshi për lesh është e fundit që më kujtohet), me të cilat ajo u drejtohej përfaqësuesve të zgjedhur të popullit që ishin në opozitë me partinë e saj.
Ju më pyesni se si i kam lexuar unë deklarata të tilla (znj. Topalli, me sa di unë, nuk ka qenë e vetmja këto ditë që është shprehur me tone të tilla negative ndaj ambasadorit amerikan). Unë mendoj se kjo zonjë dhe cilido politikan tjetër, femër, mashkull apo hemafrodit, që janë shprehur kaq pa respekt për përfaqësuesin më të lartë zyrtar të Uashingtonit në Tiranë, manifestojnë një deficit të madh moral, profesional e intelektual, psikologjinë e njerëzve të vegjël, provincialë dhe politikisht imoralë, të cilët nuk dinë dhe nuk kuptojnë se shteti dhe marrëdhëniet ndërshtetërore nuk janë çështje emrash të përveçëm, çështje njerëzish të veshur me fustan apo me pantallona, të shkurtër apo të gjatë, me apo pa flokë, por çështje shumë më të mëdha e më të rëndësishme se emrat e përveçëm të tyre dhe se personalitetet e tyre. Me fjalët e saj ndaj ambasadorit të Shteteve të Bashkuara znj. Topalli & Co. shprehin, veç të tjerash, edhe hipokrizinë e tyre ndaj përfaqësuesit të Uashingtonit në vendin tonë, çka, gjithashtu, është sinonim i hipokrizisë së tyre ndaj asaj pjese të popullit që i ka zgjedhur ata ti përfaqësojnë në Parlament, shprehet Tarifa në një intervistë për gazetën Dita.
Sipas tij, PD ka mbetur peng e së shkuarës, peng e metodave arkaike, neo-bolshevike që instaloi në PD z. Berisha, peng e një mentaliteti dhe e një mënyre sjelljeje politike (matri-patriarkale) si kjo që kemi vënë re sa e sa herë te znj. Topalli, kur ishte kryetare e Parlamentit. Unë mendoj se qëndrime të tilla, si ky i kësaj zonje dhe i ndonjë tjetri ditët e fundit, janë autogola në portën e Partisë Demokratike, lidershipi i së cilës, në të mirë të vet, do të duhej të distancohej prej tyre.
Ndërsa ish-ambasadori Bimo shprehet se, Krahasimi i rëndësisë së zgjedhjeve të vitit 2013 me ato të vitit 1992 prek në mënyrë substanciale shkakun themelor të disfatës së PD. Pikërisht këtë gjë PD dhe krerët e saj ende nuk janë të përgatitur ta pranojnë.
Deklarimet inatçore dhe të padenja të krerëve të PD ndaj konkluzioneve të sakta të ambasadorit Amerikan, mendoj se janë pjesë e përpjekjeve për të relativizuar dhe trivializuar arsyet themelore të dështimti të qeverisjes së PD./b.l