Berisha takon Grosruk dhe e vlerëson si një njeri që nuk lodhet kurrë për të ndihmuar këtë vend!
Miku i Berishës, Volfgan Grosruk, kishte humbur prej disa kohës. Sot ai është rishfaqur sërish në zyrën e Berishës, ku ka zhvilluar një takim me kryeministrin në ikje. Berisha e ka vlerësuar lart atë, duke i thënë se nuk është lodhur për të ndihmuar këtë vend(harroi të përmendte që edhe ka përfituar shumë.
Në mënyrë të veçantë ai falenderoi z. Grossruck për mbështetjen, angazhimin e vazhdueshëm dhe ndjenjat e sinqerta të miqësisë për Shqipërinë e shqiptarët, dhe e cilësoi atë një njeri, i cili nuk lodhet kurrë për të ndihmuar këtë vend.
Kryeministri nënvizoi se e konsideron shumë të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët bashkëpunimin me Austrinë dhe se shpreson që marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kombeve tona do të vazhdojnë të zhvillohen intensivisht, thuhet në një deklaratë të Kryeministrisë për këtë takim.
Ndërkohë, Berisha i është ankuar mikut të tij për mazhorancën e re, duke thënë se ajo do e fusë në krizë Shqipërinë.
Më tej, kryeministri, pasi bëri një përmbledhje të reformave themelore të ndërmarra gjatë këtyre viteve, theksoi se qeveria ka bërë të gjitha përpjekjet dhe ia ka dalë me sukses që vendi të mos binte në recesion, pavarësisht se kriza financiare europiane e botërore solli pasojat e saj. Partia Socialiste, tha kryeministri, me premtime antiglobaliste dhe jo realiste si shërbim shëndetësor falas, heqje të taksave për 95 përqind të shqiptarëve, legalizime falas etj, dhe me një ekip qeverisës pa eksperiencë do ta çojë Shqipërinë në recesion, duke sjelle krizë ekonomike, papunësi e varfëri. Kryeministri Berisha theksoi se opozita do të jetë vigjilente e do të qëndrojë përballë tyre duke bërë një opozitë të forte, vijon deklarata e Kryeministrisë.
Grosruk, nga ana e tij, shprehu vlerësime të larta për arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe dhe lidershipin e kryeministrit Berisha në këto arritje, ndërsa theksoi angazhimin për vazhdimin e bashkëpunimit. Z. Grosruk u shpreh se shpreson që qeveria e re do ti konsolidojë e çojë përpara këto arritje, mbyllet njoftimi për këtë takim./b.l