E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/ Xhelo Zeqiri: Autori i vrasjes më tha se Shemshiu mbaroi

vrasjaBisedoi: Lindita Çela

Xhelo Zeqiri, një burrë rreth të 80-tave është ende i tronditur nga ekzekutimi i mikut të tij, me të cilin falej në xhami. Ka parë me sytë e tij, jo vetëm autorin e vrasjes, por dhe të ndjerin në grahmat e fundit të jetës.

Xhelo është ndër besimtarët e parë që ka mbërritur në xhami dhe ka parë skenën e llahtarshme për të cilën, edhe pas 24 orëve plaku i ngratë dridhet i tëri. Për TemA-n Xhelo Zeqiri rrëfen ngjarjen si dhe autorin, për të cilin ka dëshmuar në polici që mbrëmjen e së premtes.

Z. Xhelo, a mund të më thoni çfarë ju keni parë?

Mund të ishte ora 16:10 minuta kur unë kam mbërritur në xhaminë e fshatit. Në fakt e dija që Shemshiu mund të ishte aty, sepse  zakonisht ai shkonte para nesh. Shemshiu i shkretë vuante nga prostata e shkonte gjithmonë më përpara se ne për të marrë abdes, në mënyrë që mos të na pengonte ne të tjerëve. Të premten qëlloi që pas tij isha unë. Pasi marr abdes, futem në xhami dhe çtë shoh, u llahtarisa. Pashë një djalë, rreth të 40-tave, që mbante në duar Shemshiun, i cili ishte i mbytur në gjak. Në fillim mendova se mund të ishte i biri që po e ndihmonte. Ulëras duke i thënë se çfarë ka ndodhur. Kurrsesi nuk më shkoi mendja që e ka vrarë. Mendova se mos ishte ndonjë aksident. Ai pasi më pa, me qetësi më tha se mbaroi Shemshiu. Kur kuptova që personi nuk ishte djali i të ngratit, dhe nuk po e ndihmonte, por po i merrte shpirtin, jam larguar për të kërkuar ndihmë. Menjëherë kam dalë me vrap nga xhamia për të shkuar tek imami që është dhe dhëndri i Shemshiut. Kam ecur me vrap deri në shtëpinë e tij,  dhe bashkë me Tomorrin, imamin, jemi kthyer në xhami ku e gjetëm Shemshiun të vdekur. Teksa vraponim për në xhami, pamë autorin që të largohej nga xhamia krejt i qetë.

A e mbani mënd autorin?

Po. Ishte biond me balluke, rreth të 40-tave dhe me një trup të bëshëm.

Çfarë kishte veshur?

Mund të them se kishte xhinse dhe një triko ngjyrë vishnje. Gjë tjetër nuk kam fiksuar.

Por a është banor i zonës suaj, e njihnit ju këtë njeri?

Jo. Unë i njoh djemtë e fshatit, pasi Dushku një grusht njerëz ka. Nuk është prej këtu. Unë nuk e njoha.

Si e gjetët viktimën?

Kur u ktheva, bashkë me imamin e xhamisë, e gjetëm trupin të rregulluar për së mbari.

Çdo të thotë të rregulluar për së mbari?

Që koka i ishte kthyer nga perëndimi dhe këmbët nga lindja. Duart i kishte të shtrira. Nëse nuk do të kishte gjak, dukej sikur kishte vdekur nga Zoti. Kështu rregullohen myslimanët kur vdesin, por i kishin hequr pantallonat. Nga mesi e poshtë nuk kishte asgjë në trup.

Kur mbërritët ju asnjë njeri tjetër nuk kishte në xhami?

Jo. Asnjë njeri veç Shemshiut të ngratë dhe atij, vrasësit. Unë ika menjëherë duke kërkuar ndihmë, por më pas mund të ketë ardhur njerëz të tjerë, unë se di.

A mendoni se ngjarja ka ndodhur për vjedhje?

Jo. Shemshiu i shkretë nuk kishte asgjë. Pastaj në xhami vijmë për tu falur dhe asnjë prej nesh nuk mban para. Nëse do e vidhte, përse do e vriste në xhami. As Shemshiu e as xhamia nuk ka lekë sepse këtu njerëzit janë aq të varfër, sa askush nuk hedh para në arkën e xhamisë. Ne falemi, duke bërë detyrën ndaj Allahut e me këtë sebep piqemi dhe me njëri-tjetrin.

Sipas jush, fakti që viktima është kthyer për së mbari ka ndonjë qëllim?

Nuk di çtë them, mund të jetë dhe e rastësishme, por kur unë erdha, e pashë autorin që e kishte në duar dhe më tha vetëm se mbaroi dhe ky. Por nëse do të gjykojmë sipas riteve myslimane unë them se autori dinte adetet, ndryshe nuk do e rregullonte kufomën ashtu.

A kishte konflikte Shemshiu, çfarë njeriu ishte?

Ai ishte shpirt njeriu dhe kurrë nuk bënte fjalë me ndokënd. Unë edhe tani nuk mund ta besoj se kanë vrarë. Është e tmerrshme sa pashë dhe sa ka ndodhur. Shemshiu ishte shpirt njeriu dhe nuk e meritonte të vritej kështu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›