IRLANDË – Zelensky: E nevojshme një paqe e garantuar për Ukrainën dhe Evropën

LONDËR, 27 shkurt /ATSH-ANSA/ – Diskutuam hapat e nevojshëm për t’i dhënë fund luftës me një paqe të garantuar për Ukrainën dhe të gjithë Evropën, shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, pas një takimi me kryeministrin irlandez, Michael Martin, i cili e priti atë në aeroportin ”Shannon” gjatë një ndalese drejt udhëtimit të tij në Uashington, ku nesër presidenti ukrainas do të pritet për një takim delikat ballë për ballë me presidentin amerikan, Donald Trump.
Martin nga ana e tij theksoi mbështetjen e Irlandës, një vend anëtar i BE-së, por jo i NATO-s, për Kievin dhe rrugën e tij të integrimit evropian.
”Ne kemi thënë shumë qartë se synojmë të shtyjmë përpara për të përshpejtuar kohën e pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian”, tha kreu i qeverisë së Dublinit në kuadër të këtij takimi.
Martin vlerësoi gjithashtu Zelenskyn dhe guximin e treguar nga populli ukrainas gjatë tre viteve të luftës me Rusinë./ a.jor.