E Martë, 3 Nëntor 2026

PORTUGALI – Macron: Evropianët të mos bëhen vasalë të SHBA-së

LISBONË, 27 shkurt /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron paralajmëroi sot në Lisbonë kundër një “vasalizimi të lumtur” të Evropës përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke i bërë thirrje asaj të “transformohet” për të rizbuluar “shijen e rrezikut dhe fuqisë”.

“Përgjigjja nuk është në dorëzim. Unë nuk jam në favor të vasalizimit të lumtur”, deklaroi ai gjatë një takimi me kompanitë franko-portugeze të teknologjisë.

“Unë shoh shumë njerëz në Evropën tonë duke thënë se ‘do të duhet të sillemi mirë me amerikanët, do të kalojë, ne duhet të përulemi’. Duhet të jemi të sjellshëm, por duhet të mbrojmë atë që jemi”, këmbënguli kreu francez i shtetit.

Presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar një sërë sulmesh kundër evropianëve, duke njoftuar 25% tarifa doganore dhe duke përsëritur thirrjen e tij për ndarje më të mirë të barrës brenda NATO-s.

Ai gjithashtu nisi një afrim të paprecedentë me Rusinë e Vladimir Putinit duke ngritur frikën se paqja do të arrihet në Ukrainë pas shpinës së ukrainasve dhe evropianëve.

“Sot, transformimi që duhet të bëjmë është të bëhemi fuqi sepse nuk jemi. Ne jemi një treg, jemi një vend në paqe, por jemi pak amorfë. Nuk po e projektojmë veten sa duhet”, këmbënguli ai.

”Evropa duhet ta rizbulojë këtë shije për rrezikun, ambicien dhe fuqinë”, theksoi Macron./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›