E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: 21% e aksidenteve në punë ndodhin në prodhim

Opozita: Mund të ndodhë Gërdeci i dytë.

Shifra të larta të aksidenteve në punë me pasojë vdekjen, kryesisht në sektorin e minierës. Por, nga ana tjetër, është rritur numri i punëmarrësve që punojnë me kontrata. Problem mbetet shfrytëzimi i fëmijëve dhe sëmundjet profesionale, të cilat nuk kanë një shërbim të specializuar për trajtim. Sipas  raportit vjetor për vitin 2011 të Inspektoratit Shtetëror të Punës të prezantuar dje në Komisionin e Shëndetësisë, Punës e Çështjeve Sociale, 21 për qind e aksidenteve janë regjistruar në ndërmarrjet e prodhimit, më pas vijnë sektorët e minierës e ndërtimit. Gjatë vitit 2011, në shkallë vendi janë realizuar 14028 inspektime. Është rritur numri i punëmarrësve që punojnë me kontrata pune individuale. Kështu, nëse një vit më parë punëmarrës pa kontratë individuale ishin 15.6%, në vitin 2011 janë konstatuar vetëm 8.2% (7.4% më shumë se një vit më parë e punëmarrësve punojnë me kontrata), raportoi Vikrita Çuto, inspektore e Përgjithshme. Referuar shifrave, miniera e Bulqizës rezulton të jetë e para me numrin më të lartë të punëtorëve të vdekur, si pasojë e aksidenteve në vendin e punës. Nga kontrollet e inspektorëve të punës në ndërmarrje e kompani biznesesh, ka rezultuar se 280 fëmijë të moshës 16-18 vjeç punojnë në kundërshtim me Kodin e Punës. Nga analizat e kryera, rreth 1890 punëtorë janë prekur nga sëmundjet profesionale si pasojë e prekjes nga substancat e rrezikshme me të cilat punojnë. Deputetët e opozitës kanë ngritur shqetësimin në lidhje me mjekimin e punëtorëve të sëmurë nga sëmundjet profesionale, pasi sipas tyre nuk ekziston më një pavijon specifik për trajtimin e sëmundjeve profesionale. Ata kërkuan më tepër kontrolle në këtë sektor. Sipas Eltar Dedës, në këto momente mund të përsëritet një tjetër Gërdec dhe nuk mund të kontrollohet. Një ndër problematikat e ngritura në këtë komision ishte edhe mbyllja e qendrës shëndetësore në QSUT, ku trajtoheshin sëmundjet profesionale.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›