Spiunia ruse u zbulua pasi hyri në rrethin e ngushtë të Obamës

Ana Çapman
Agjentja kokëkuqe ruse, Ana Çapman, përpara se të zbulohej, i ishte afruar shumë një anëtari të lartë të administratës së Presidentit Obama, duke hyrë në rrethin e brendshëm të tij. Kështu ka deklaruar në një dokumentar të transmetuar mbrëmjen e së hënës në SHBA një agjent amerikan i zbulimit. Në dokumentarin e transmetuar në Channel 4, agjenti i zbulimit në FBI, Frank Filjuci, deklaroi se bukuroshja ruse ishte afruar mjaftueshëm sa për të bezdisur zbuluesit amerikanë të spiunëve. Ne u shqetësuam shumë. Spiunët rusë po afroheshin me një anëtar të kabinetit dhe ne nuk mund ta lejonim më vazhdimin e kësaj loje, tha agjenti. Identiteti i zyrtarit që ishte afruar me Çapman, nuk u bë publik. Ana Çapman, agjente ruse që dikur punonte në Britani, u arrestua në
SHBA bashkë me 9 spiunë të tjerë që mbanin identitete amerikane, ata u këmbyen me një shkencëtar rus që punonte për SHBA-në e mbahej në burgjet ruse.