ISHP: Gripi i derrave përhapet në disa qytete, 13 të prekur
TIRANË- Të paktën të konfirmuar janë 13 persona, ndërkohë që shumë të tjerë mund të jenë duke e kaluar gripin e derrave pa bërë analizën që konfirmon llojin e gripit. Instituti i Shëndetit Publik në buletin e nxjerrë sot shkruan se "numri i rasteve është shtuar nga 5 në 13". "Tetë prej të cilave janë paraqitur me shenja të sëmundjes menjëherë pas kthimit nga jashtë vendit, si nga Anglia e Rumania".
Ndërkohë, 5 raste nuk referojnë udhëtime jashtë vendit, apo lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit, ndërsa 3 raste janë identifikuar jashtë Tiranës në Vlorë, Lushnje dhe Sarandë.
Ndërkohë, deri tani në vend janë marrë 239 monstra për analiza për virusin A (H1N1), nga të cilat 111 janë marrë nga Spitali Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, 52 në Spitalin Pediatrik, si dhe nga spitalet në Vlorë, Durrës, Fier, Devoll, Sarandë, Shkodër, etj.
Numri më i madh i mostrave është marrë në pacientë të moshës 15-61 vjeç. Nga ISHP-ja mesojme se të gjitha rastet paraqitin kuadër klinik të lehte. Shenjat e shfaqura ishin temperatura nën 38 gradë celcius, dhimbje koke, dhimbje fyti, kolle, dhimbje muskulare dhe lodhje. Vetem dy raste të mundshme paraqisnin shenja klinike, për të cilin u gjykua shtrimi ne spital dhe vetëm për 1 rast u fillua trajtimi i menjëhershëm me antiviralin Tamiflu.
Të gjitha rastet e tjera nuk kanë patur komplikacione dhe nuk janë shtruar ne spital. Izolimi i tyre është kryer në kushtet e shtëpisë. Sipas ISHP, 2 raste jane trajtuar në kushte ambulatore dhe nën mbikëqyrjen e mjekut me Tamiflu.