E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHP, shtohet numri i fëmijëve mbi peshë në shkolla

Studimi, më problematikë janë fëmijët në zonat urbane. Shkaqet e shtimit të mbipeshës te fëmijët dhe kequshqyerja

Emanuela Sako

Instituti i Shëndetit Publik ka kryer një studim në shkollat 9-vjeçare për rastet e obezitetit te fëmijët. Sipas studimit, është shtuar numri i fëmijëve obezë në zonat urbane. Nga studimi, rezulton se mbipesha, sidomos te moshat e vogla, mbetet një situatë në rritje, si për efektet potenciale, ashtu dhe ato psikike. Të dhënat e studimit tregojnë se rreth 15.2% e fëmijëve janë mbipeshë dhe 3.8 % e tyre, obezë. Specialistët e Shëndetit Publik pohojnë se obeziteti është më i dukshëm tek fëmijët e zonave urbane nga ato rurale. Të rëndësishme janë krahasimet e obezitetit tek fëmijët në shkollat publike dhe ato jopublike. Sipas studimit, numri i fëmijëve mbipeshë në shkollat jopublike është 2 herë më i lartë se në shkollat publike.
Studimi
Në studimin e ISHP-së u përfshinë rreth 4000 nxënës të klasave të ciklit 9-vjeçar të shkollave publike dhe jopublike në 12 qarqe të vendit. Objektivi i tij është krijimi i një banke të dhënash mbi situatën epidemiologjike të gjendjes së ushqyerjes së shëndetshme të popullatës, me qëllimin modifikimin e sjelljeve ushqimore jo korrekte. Nisur nga të dhënat e studimit, specialistët pohojnë se vëmendja duhet drejtuar te parandalimi dhe frenimi i rritjes së obezitetit të moshës fëminore, pasi trajtimi i obezitetit është shumë i vështirë, ndërsa mundësia e të qenit i rritur obez është shumë i lartë. Po kaq i vështirë është dhe korrigjimi i zakoneve të gabuara ushqyese në moshë të rritur, të cilat janë fituar që në fëmijëri. Obeziteti përbën rrezik potencial për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, ato psikike etj.
Të rriturit
Mbipesha është një nga shkaktarët kryesorë të shtimit të sëmundjeve me pasojë vdekjen. Sipas studimeve të kryera nga Ministria e Shëndetësisë, numri i personave mbi peshë ka ardhur duke u rritur. Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se rreth 20% e të rinjve të shkollave të mesme janë mbi peshë, ndërsa te femrat kjo shifër shkon deri në 26%. Duke u bazuar në studimin e kryer në Tiranë del se mbipesha vërehet në shifrat 28.6 për qind në moshat mbi 55 vjeç. Mbipesha bëhet shkak për shtimin e një numri të madh sëmundjesh të rënda, të cilat bëhen të pashmangshme te personat që vuajnë nga masa të mëdha dhjamore. Të gjithë personat obezë kanë një gjendje psikologjike të rënduar për shkak të trupit të tyre dhe problemeve që hasin çdo ditë me shëndetin. Obeziteti quhet ndryshe dhe shëndet i tepërt, ku personat kanë masë të madhe dhjamore, që vjen si rezultat i ngrënies së tepërt dhe djegies së pakët të kalorive të marra, apo depozitimi i tepricave kalorike. OBSH-ja qe e para që me raportin e saj të vitit 2002, “Strategjia globale për dietën, veprimtarinë fizike dhe shëndetin”, reagoi fuqishëm ndaj shtimit të rreziqeve për shëndetin dhe të sëmundshmërisë kronike të lidhur me to. Ajo rekomandoi 6 drejtime strategjike për kontrollin, minimizimin dhe parandalimin e tyre.

4 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›