E Diel, 1 Nëntor 2026

Thereska: ”Përse shqiptarët janë konsumatorët më të mëdhenj të barnave”

Specialisti: “Mjekët abuzojnë me pacientët për dhënien e barnave”. Arsyet që i çojnë shqiptarët në top-listën e konsumimit të lartë

Emanuela Sako

Shqiptarët janë konsumatorët më të mëdhenj të barnave në Europë. Ky rezultat theksohet nga një studim i Bankës Botërore, por që sqarohet më së miri nga specialistët e Shëndetësisë. Shefi i Nefrologjisë në QSUT dhe anëtar i Komisionit të Barnave në MSH, Nestor Thereska, sqaron se pacientët konsumojnë mjaft barna dhe në një pjesë të madhe të rasteve kjo ndodh edhe për shkak të abuzimit të mjekëve. Sipas specialistit Thereska, mjekët shpeshherë u japin barna të tepërta pacientëve për shkak të mospërcaktimit të saktë të sëmundjes që ata kanë. Njëkohësisht, edhe pacientët janë të prirë të marrin më tepër barna sepse u është krijuar ideja se pirja e tyre i bën më të sigurt në luftën kundër sëmundjes.
Arsyet
Një ndër arsyet kryesore që mjekët rekomandojnë barna pa qenë nevoja janë rezultatet e pasakta që dalin nga laboratorët, ku mjekët detyrohen të japin kurën pa qenë nevoja. Një pjesë e mjekëve janë të prirë t’u japin barna pacientëve sepse nuk përcaktojnë sëmundjen e saktë, qoftë dhe kur ata kryejnë një vizitë të thjeshtë. Në raste të tjera janë pacientët që nuk kanë besim te mjeku dhe kërkojnë medoemos marrjen e barnave. Nga ana tjetër, cilësia e dobët e barnave bën që ato të mos japin e efekt te pacienti dhe detyrimisht ata do të marrin alternativa të tjera. Shpeshherë pacientët marrin medikamente pa rekomandimin e mjekëve, pasi përfundojnë dozat e marra dhe e ripërsërisin dozën sipas dëshirës. Megjithatë, konsumimi i tepërt i barnave kur nuk janë të domosdoshme shkaktojnë probleme të mëdha shëndetësore.
Studimi
Studimi i Bankës Botërore ka bërë krahasimin e shpenzimeve që bën vendi ynë për medikamente, me mesataren europiane. Krahasimi i të dhënave tregon se Shqipëria kërkon t`i zgjidhë problemet shëndetësore më së shumti përmes medikamenteve. Nga rezultatet e studimit del se 32 për qind të shpenzimeve të përgjithshme për kujdesin shëndetësor shkojnë për barnat. Mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian është 14 për qind, ndërsa në Amerikë 12 për qind. Studimi i Bankës Botërore vë në qendër të vëmendjes lidhjen mes mjekut dhe pacientit, që në shumicën e rasteve janë të prirë drejt konsumimit të barnave. “Shqiptarët shihen si konsumatorët më të mëdhenj të ilaçeve dhe të alternativave më të rënda të tyre. Nëse bëhet një krahasim me vendet europiane që një recetë përmban 1 deri në dy barna për një diagnozë të caktuar. Në Shqipëri ky numër shumëfishohet”, - deklarohet në raportin e këtij studimi. Sipas të dhënave, mesatarisht mjekët shqiptarë japin 4-5 barna për çdo recetë. Ekspertët e huaj theksojnë se problemi nuk është nga ana financiare, por nga ajo shëndetësore për shkak të problemeve anësore që shkaktojnë këto medikamente. Specialistët rekomandojnë që të ulen dozat e medikamenteve, ku mjekët dhe pacientët të jenë të ndërgjegjshëm në këtë pikë. Pacientët duhet të marrin mjekimin vetëm me recetën e mjekut dhe jo sipas gjykimit të tyre. Sipas tyre, Shqipëria përdor tri herë më shumë barna se vendet e tjera, të cilat kanë çmime përgjithësisht të larta. Njëkohësisht në vendin tonë mungojnë skemat e protokolleve të mjekimit.

4 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›