E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHPSHSH: Rreth 22 mijë vende pune të kontrolluara në mars, 782 masa administrative për shkelje

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Inspektimet në subjektet private dhe publike u intensifikuan gjatë muajit mars 2026, me qëllim garantimin e respektimit të legjislacionit të punës, sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe mbrojtjes së të drejtave të punëmarrësve.

Sipas të dhënave mujore të publikuara nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore gjatë kësaj periudhe janë inspektuar 925 subjekte në të gjithë vendin, me fokus në verifikimin e kushteve të punës, zbatimin e kontratave, respektimin e orarit dhe pagesave, si dhe standardet e sigurisë në ambientet e punës.

Nga këto kontrolle janë verifikuar gjithsej 22,162 vende pune, në funksion të evidentimit dhe parandalimit të shkeljeve që mund të cenojnë të drejtat e punonjësve.

Paralelisht, gjatë muajit mars janë zhvilluar edhe 188 inspektime këshilluese, të cilat synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të subjekteve për zbatimin korrekt të legjislacionit në fuqi.

Megjithatë, nga verifikimet janë konstatuar një numër i konsiderueshëm shkeljesh, duke çuar në vendosjen e 782 masave administrative ndaj subjekteve që nuk kanë respektuar detyrimet ligjore.

Një tjetër element i rëndësishëm ka qenë trajtimi i 120 ankesave të paraqitura nga qytetarët dhe punëmarrësit, të cilat lidhen kryesisht me problematika të kontratave të punës, kushteve të punës dhe mosrespektimit të të drejtave ligjore. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›