ISUV zgjeron analizat laboratorike, parashikohen edhe analiza rikonfirmuese nga laboratorë të BE-së

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime dhe shtesa në vendimin për organizimin dhe funksionimin e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), me synim përmirësimin e kapaciteteve laboratorike dhe forcimin e kontrollit në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe fitosanitetit.
Sipas vendimit, ISUV do të kryejë analiza laboratorike në zbatim të programeve kombëtare, strategjive sektoriale, planeve të monitorimit, programeve të mbikëqyrjes dhe kontrolleve zyrtare për të cilat është i autorizuar.
Në vendim parashikohet kryerja e analizave rikonfirmuese nga laboratorë ndërkombëtarë të Bashkimit Evropian, të akredituar dhe të autorizuar nga autoritetet përkatëse, në rastet e shpërthimeve të sëmundjeve, epidemive dhe shfaqjes së dëmtuesve karantinorë te bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera.
Vendimi parashikon edhe zëvendësimin e shkurtesës OIE me emërtimin Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve (WOAH), në të gjithë përmbajtjen e vendimit ekzistues.
Për zbatimin e ndryshimeve ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/e.i/r.e/