ITALI – Meloni: Vendimi i ECJ-së dobëson politikën e azilit

ROMË, 1 gusht /ATSH-DPA/ – Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka kritikuar vendimin e sotëm të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (ECJ) mbi klasifikimin e vendeve të sigurta të origjinës.
Ajo tha se ”vendimi kufizoi më tej hapësirën tashmë të kufizuar për manovrim të qeverive”.
“Ky është një hap që duhet t’i shqetësojë të gjithë”, theksoi Meloni.
“Vendimi i gjykatës dobëson politikën për të luftuar imigracionin masiv të paligjshëm dhe për të mbrojtur kufijtë kombëtarë”, tha kreu i partisë së ekstremit të djathtë në pushtet ”Fratelli d’Italia”.
Në një çështje të ngritur nga Italia, ECJ vendosi sot se ”vendet e Bashkimit Evropian lejohen të përcaktojnë vendet e origjinës si të sigurta për të përshpejtuar procedurat e azilit nëse autoritetet zbulojnë burimet për vlerësimin e tyre”.
“Burimet e informacionit mbi të cilat bazohet një përcaktim i tillë duhet të jenë mjaftueshëm të arritshme, si për aplikantin ashtu edhe për gjykatën që ka juridiksionin”, shkroi gjykata e lartë e BE-së në një njoftim për shtyp.
Një kusht i dytë i vendosur nga gjykata përcakton që ”një shtet mund të përcaktohet si vend i sigurt origjine vetëm nëse ofron mbrojtje të mjaftueshme për të gjithë popullsinë, përfshirë pakicat”.
Si pjesë e një përpjekjeje nga qeveria e krahut të djathtë në Romë për të përshpejtuar verifikimin e kërkesave për azil dhe për të lejuar më pak njerëz të hyjnë në vend, Italia ka lëshuar një listë që etiketon një numër vendesh si mjaftueshëm të sigurta për migrantët që nuk janë të kualifikuar për mbrojtje ndërkombëtare.
Qeveria italiane synon të sjellë migrantët që vijnë nga vendet e përcaktuara si të sigurta dhe të ndaluar në detin Mesdhe në një qendër pritjeje në Shqipëri, ku kërkesat e tyre për azil shqyrtohen sipas një procedure të përshpejtuar.
Gjykata italiane që merret me çështjen i kishte bërë thirrje Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të sqaronte nëse qeverisë italiane i lejohej të hartonte listën e vendeve të sigurta sipas ligjit të BE-së, nëse Roma duhet të zbulojë burimet e saj për shpalljen e një vendi si të sigurt dhe cilat kritere duhet të respektohen.
Meloni e kritikoi vendimin si ndërhyrje nga gjykatat në çështjet politike.
Ajo tha se gjyqësori – këtë herë ai evropian – po merrte përsipër përgjegjësi “që nuk i përkasin, ndërsa përgjegjësia u takon politikanëve”.
Sipas saj, vendimi u jep përparësi vlerësimeve të gjyqtarëve individualë kombëtarë mbi vlerësimin nga ministritë e specializuara dhe parlamenti.
Roma gjithashtu e sheh me skepticizëm kohën e vendimit të gjykatës.
Vendimi vjen disa muaj para hyrjes në fuqi të një pakti të ri të BE-së për migracionin, i cili parashikon rregulla më të rrepta për trajtimin e vendeve të sigurta të origjinës.
Qeveria në Romë njoftoi se do të kërkonte të gjitha zgjidhjet e mundshme teknike dhe ligjore deri atëherë “për të garantuar sigurinë e qytetarëve”.
Me qëndrimet e krahut të djathtë që po fitojnë popullaritet në të gjithë bllokun 27-anëtarësh, shumë vende të BE-së po përshtatin një qëndrim më të ashpër ndaj migracionit.
Disa kryeqytete po diskutojnë ngritjen e qendrave të akomodimit për azilkërkuesit e refuzuar në vendet jashtë bllokut.
Megjithatë, shtytja e Italisë për të përpunuar kërkesat për mbrojtje dhe për të akomoduar migrantët e refuzuar në Shqipëri po përballet me disa pengesa ligjore. /Ad.Ab./