ITALI – Meloni kritikon marrëveshjen për postet kryesore të BE-së përpara samitit të Brukselit

ROMË, 26 qershor /ATSH-DPA/- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni kritikoi mënyrën se si grupimet kryesore në parlamentin evropian kanë ndarë postet kryesore të BE-së gjatë një fjalimi sot në parlamentin italian në Romë.
“Vendimet injoruan sukseset e shënuara nga partitë e ekstremit të djathtë në zgjedhjet në fillim të qershorit”, tha Meloni.
“Një nga rezultatet e pakundërshtueshme të zgjedhjeve ka qenë refuzimi i politikave të partive qeverisëse në vende të caktuara”, tha ajo.
Meloni i përshkroi marrëveshjet e arritura si një “bisedë buzë zjarrit” nga një grup i vogël.
“Nëse duam t’i shërbejmë Evropës dhe besueshmërisë së saj, duhet të tregojmë se i kemi kuptuar gabimet e së kaluarës dhe të marrim parasysh dëshirat e qytetarëve, të cilët kërkojnë një Evropë më konkrete dhe më pak ideologjike”, shtoi Meloni.
“BE-ja ishte subjekt i vendimmarrjes ideologjike. Kjo ka dëmtuar besimin e qytetarëve të saj. Perceptimi është ai i një bashkimi që ndërhyn shumë në aspektet e jetës së përditshme”, tha Meloni.
Grupimet kryesore të BE-së kanë propozuar Ursula von der Leyen për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian dhe kryeministren e Estonisë Kaja Kallas si kreun e ri të politikës së jashtme të bllokut.
Ish-kryeministri portugez, António Costa do të jetë presidenti i ardhshëm i Këshillit Evropian.
Një samit i liderëve të BE-së që fillon të enjten pritet të miratojë emërimet, por konfirmimi përfundimtar i takon Parlamentit të ri Evropian.//a.i/