ITALI – Policia sekuestron kokainë me vlerë 10 milionë euro në Napoli

ROMË, 14 shkurt /ATSH-DPA/- Policia italiane ka sekuestruar më shumë se 80 kilogramë kokainë nga një kamion që udhëtonte pranë Napolit, njoftoi sot agjencia italiane e lajmeve ANSA.
Policia e karabinierëve arrestoi një 33-vjeçar dhe një 47-vjeçar që transportonin 81,7 kilogramë kokainë të ndarë në 70 pjesë – nga kamioni në një furgon më të vogël – në një periferi veriore të qytetit.
Vlera e drogës arrin në rreth 10 milionë euro (10,5 milionë dollarë).
Karabinierët thanë se kjo ishte një goditje e rëndësishme për krimin e organizuar. //a.i/