BRUKSEL – BE: Tarifat reciproke të Trump, një hap në drejtimin e gabuar

BRUKSEL, 14 shkurt /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian kritikoi sot planet e presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa reciproke ndaj mallrave nga vendet me të cilat Uashingtoni ka një deficit të lartë tregtar.
“Komisioni Evropian e sheh politikën tregtare të propozuar “reciproke” të presidentit Trump si një hap në drejtimin e gabuar”, thuhet në një deklaratë.
“Tarifat e reja nuk do të hyjnë në fuqi menjëherë. Në vend të kësaj, autoritetet përkatëse kanë 180 ditë kohë për të identifikuar vendet e prekura dhe për të vendosur tarifa specifike për vendin mbi këtë bazë”, sipas një zyrtari të lartë të administratës.
Komisioni përsëriti se Brukseli do të ishte i gatshëm të vendoste kundërmasa.
“BE do të reagojë me vendosmëri dhe menjëherë kundër barrierave të pajustifikuara ndaj tregtisë së lirë dhe të ndershme, përfshirë kur tarifat përdoren për të sfiduar politikat ligjore dhe jodiskriminuese”, thuhet në njoftimin për shtyp.
“BE mban disa nga tarifat më të ulëta në botë dhe nuk sheh asnjë justifikim për rritjen e tarifave të SHBA-së për eksportet e saj”, tha komisioni.
“Tarifat janë taksa. Duke vendosur tarifa, SHBA-ja po takson qytetarët e vet, duke rritur kostot për biznesin dhe duke nxitur inflacionin”, sipas deklaratës.
Më herët, Trump shpalli tarifa speciale për importet e çelikut dhe aluminit. //a.i/