ITALI – Roma do të presë raundin e dytë të bisedimeve bërthamore SHBA-Iran

ROMË, 14 prill /ATSH/- Raundi i dytë i bisedimeve bërthamore midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit do të mbahet në Romë, tha sot ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, sipas “Reuters”.
Irani dhe SHBA-ja thanë se zhvilluan bisedime “pozitive” dhe “konstruktive” të shtunën në Oman dhe ranë dakord të mblidheshin sërish këtë javë.
“Kemi marrë një kërkesë nga palët e interesuara dhe nga Omani, i cili po luan rolin e ndërmjetësit dhe kemi dhënë një përgjigje pozitive”, tha Tajani në ekspozitën botërore “Expo” në qytetin japonez, Osaka.
“Roma ka pritur shpesh këto lloj bisedimesh”, tha Tajani duke shtuar se Italia është e përgatitur të bëjë gjithçka që duhet për të mbështetur të gjitha negociatat – që mund të çojnë në një zgjidhje të çështjes bërthamore dhe në ndërtimin e paqes.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka kërcënuar me veprime ushtarake nëse nuk arrihet marrëveshje për ndalimin e programit bërthamor të Iranit, u tha dje gazetarëve në bordin e “Air Force One” – se ai ishte takuar me këshilltarët për Iranin dhe se pritej një vendim i shpejtë. //a.i/