SERBI – Studentët mbyllin protestat pas një viti zaptimi të universiteteve

BEOGRAD, 3 nëntor /ATSH-DPA/ – Studentët në Serbi i kanë dhënë fund pothuajse zaptimit njëvjeçar të universiteteve, që ishin pjesë e një proteste për demokraci dhe sundimin e ligjit, raportoi sot agjencia shtetërore e lajmeve “Tanjug”, duke cituar Ministrinë e Arsimit.
Mësimi rifilloi sot në Beograd, Novi Sad, Nish dhe Novi Pazar, ndërsa institucione të tjera e kishin bërë këtë më herët, njoftoi “Tanjug”.
“Viti i rregullt akademik me mësim të plotë në auditor do të nisë nga 3 nëntori”, tha dekani i Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd për agjencinë e pavarur “Fonet”.
Mësimet, provimet dhe testet do të zhvillohen normalisht.
Gjatë protestave, mësimi në auditor ishte pezulluar, megjithatë stafi akademik dhe studentët përpiqeshin ta kompensonin përmes mësimit në distancë dhe online.
Protesta nisi pas shembjes së stacionit hekurudhor
Studentët filluan të zaptojnë universitetet në mesin e nëntorit të vitit të kaluar, pas shembjes së çatisë së sapo rinovuar të stacionit hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Katastrofa shkaktoi lëvizjen më të madhe dhe më jetëgjatë të protestave në historinë e afërt të vendit.
Përveç okupimeve, studentët organizuan edhe bllokada rrugësh dhe demonstrata masive. Lëvizja, e cila tashmë mbështetet nga shtresa të gjera të popullsisë, kërkon zgjedhje të parakohshme.
Të shtunën, rreth 110000 persona përkujtuan përvjetorin e tragjedisë, sipas grupit të pavarur Arkivi për Tubime Publike. Turma qëndroi në heshtje për 16 minuta në nderim të viktimave. /Ad.Ab./