E Diel, 1 Nëntor 2026

IZRAEL – Asnjë bllok nuk arrin 61 mandatet e nevojshme për të qeverisur

TEL AVIV, 28 tetor /ATSH/- Zgjedhjet e para në Izrael që nga sulmet e 7 tetorit, nuk duket se kanë nxjerrë një fitues të qartë, sipas sondazheve pas votimit, raportoi CNN.

Sipas këtyre sondazheve, mbështetja për kryeministrin Benjamin Netanyahu ka rënë ndjeshëm, ndërsa blloku opozitar i udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë, Gadi Eisenkot ka një epërsi të lehtë.

Sipas parashikimeve të televizionit izraelit “Channel 1”2, blloku i Netanyahut pritet të marrë 50 vende në parlament, nga 68 që kishte në parlamentin e mëparshëm.

Ndërsa blloku i drejtuar nga Eisenkot parashikohet të sigurojë 52 vende.

Sondazhet parashikojnë gjithashtu që partitë arabe të marrin gjithsej 18 vende, një rezultat rekord sipas të dhënave të publikuara.

Parlamenti izraelit, i njohur si “Knesset”, ka 120 vende.

Për të pasur shumicën e nevojshme për të qeverisur, një parti ose koalicion duhet të sigurojë të paktën 61 vende.

Pjesëmarrja në votime ishte më e larta që prej të paktën vitit 1999.

Rezultatet përfundimtare priten gjatë ditëve në vijim. Edhe pas shpalljes së tyre, mund të duhen ditë ose javë për të negociuar krijimin e një koalicioni qeverisës.

Meqë asnjëri prej blloqeve nuk ka siguruar shumicën prej 61 mandatesh, partitë do të duhet të negociojnë për të krijuar një qeveri të re.

Në këtë proces, partitë arabe mund të kenë rol të rëndësishëm, për shkak të numrit të vendeve që pritet të fitojnë.

Rezultatet e sondazheve nuk janë përfundimtare dhe mund të ndryshojnë pas numërimit zyrtar të votave. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›