E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet lokale, Bardhi: Thirrja e Begajt teatër politik; Balla konfirmon pjesëmarrjen e PS-së

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Presidenti Bajram Begaj ftoi sot partitë politike në vend për të nisur konsultimet më 30 tetor lidhur me datën për zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm. Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet lokale pritet që të mbahen midis datës 15 prill deri më 15 maj.

Në lidhje me thirrjen e konsultimeve të Presidentit Begaj ka reaguar kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili e ka cilësuar këtë “teatër politik”.

“Ftesa e Bajram Begajt është tërësisht e shpërfillshme dhe nuk meriton as koment. Për fat të keq, Shqipëria nuk ka një President të Republikës që përmbush rolin e tij kushtetues, por një ministër pa portofol në shërbim të Edi Ramës”, shkruan Bardhi.

Sipas tij, shqiptarët janë në shesh për të kërkuar, ndër të tjera, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Nëse Shqipëria do të kishte një president që e ushtron realisht funksionin e tij kushtetues, ai do ta trajtonte këtë çështje si një emergjencë demokratike dhe do t’u përgjigjej me seriozitet shqetësimeve që prej muajsh po i nxjerrin qytetarët në shesh”, thekson ai.

Bardhi theksoi se Begaj “po i shërben pushtetit në vend që të mbrojë institucionin që përfaqëson”.

Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla theksoi se “çdo President i Republikës ka bërë të njëjtën procedurë, duke ftuar partitë politike për konsultimin e datës së zgjedhjeve”.

Duke iu referuar qëndrimit të Bardhit, Balla shkruan “por sot “depoja e molotovëve” -SHQUP qenka shprehur kundër kësaj tradite. Uroj që t’i thërrasin arsyes dhe të marrin pjesë në zgjedhjet vendore diku mes 15 Prill – 15 Majit 2027. Të kundërtën e kanë provuar në forma të ndryshme me bojkot, me vulë, pa vulë etj.”.

Gjithashtu Balla shkruan se Partia Socialiste konfirmon prezencën në konsultime me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj mbi datën e zgjedhjeve vendore 2027.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›