E Enjte, 5 Nëntor 2026

IZRAEL – Dhjetëra të plagosur, pasi një kamion futet në turmë

RAMAT HASHARON (Izrael), 27 tetor /ATSH-AFP/ – Të paktën 29 persona u plagosën, kur një kamion u përplas sot në një stacion autobusi, pranë një baze ushtarake në Ramat Hasharon, në Izraelin qendror, thanë shërbimet e urgjencës dhe policia.

”Një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar nëse ishte një sulm terrorist”, shtoi policia pasi pohoi se shoferi i kamionit ishte “neutralizuar”.

Lëvizja palestineze Hamas, në luftë për më shumë se një vit kundër Izraelit në Rripin e Gazës, nga ana e saj përshëndeti në një deklaratë për shtyp një “operacion heroik” të kryer “afër selisë së Mossadit”.

”Është një përgjigje e natyrshme ndaj krimeve të okupimit (izraelit) kundër popullit tonë palestinez në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jerusalem”, tha ajo.

Sipas policisë, ”një autobus po i linte pasagjerët në një ndalesë kur një kamion goditi autobusin dhe pasagjerët”.

”Civilët në vendngjarje qëlluan dhe neutralizuan shoferin”, shtoi ajo.

”Në mesditë, numri i të plagosurve ishte 29, përfshirë gjashtë në gjendje të rëndë”, tha Magen David Adom, ekuivalenti izraelit i Kryqit të Kuq.

”Kur mbërritëm në vendin e aksidentit, pamë një kamion i cili kishte goditur dhjetëra njerëz që kishin zbritur nga autobusi”, tha mjeku Elior Yosef, i cituar në deklaratën për shtyp të Magen David Adom./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›