E Enjte, 5 Nëntor 2026

IZRAEL – IDF: Vritet në një sulm ajror komandanti i krahut ushtarak të Hamasit në Gazë

TEL AVIV, 1 gusht /ATSH-DPA/- Ushtria izraelite (IDF) konfirmoi sot se Mohammed Deif – udhëheqësi i pakapshëm i krahut ushtarak të Hamasit në Rripin e Gazës – u vra gjatë një sulmi ajror në Khan Younis, më 13 korrik.

“IDF njofton se më 13 korrik 2024, avionët luftarakë të forcave izraelite goditën në zonën e Khan Younis dhe pas një vlerësimi të shërbimeve sekrete, mund të konfirmohet se Mohammed Deif u eliminua gjatë sulmit”, tha IDF në një deklaratë.

Ushtria izraelite tha se Deif ishte komandanti i krahut ushtarak të Hamasit, Brigadave al-Qassam, dhe i dyti në komandën e Hamasit në Rripin e Gazës.

“Deif inicioi, planifikoi dhe ekzekutoi masakrën e 7 tetorit, në të cilën u vranë 1200 njerëz  në jug të Izraelit dhe u rrëmbyen 251 pengje në Rripin e Gazës”, tha IDF.

“Gjatë viteve, Deif drejtoi, planifikoi dhe kreu sulme të shumta terroriste kundër shtetit të Izraelit”, shtoi IDF.

Deif rrallë shihej apo dëgjohej në publik.

Konfirmimi i vdekjes së Deif vjen menjëherë pas një sulmi në Teheran – ku mbeti i vrarë lideri i lartë i Hamasit, Ismail Haniyeh – dhe vdekjes së komandantit ushtarak të Hezbollahut Fuad Shukr gjatë një sulmi izraelit në një periferi të kryeqytetit libanez Bejrut. Izraeli nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për vdekjen e Haniyeh. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›