E Enjte, 5 Nëntor 2026

IZRAEL – Ministri i Mbrojtjes paralajmëron Iranin dhe Hezbollahun për rrezikun e hakmarrjes

TEL AVIV, 12 gusht /ATSH-DPA/-  Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant paralajmëroi Iranin dhe milicinë libaneze të Hezbollahut që të shmangin sulmet hakmarrëse kundër Izraelit, pasi Hezbollahu tha se kishte sulmuar një bazë stërvitore izraelite me drone.

“Kushdo që na dëmton në një mënyrë që nuk ka ndodhur më parë, ndoshta do të goditet në një mënyrë që nuk ka ndodhur më parë”, tha Gallant, duke argumentuar se Izraeli po lufton për ekzistencën e tij në një mjedis armiqësor.

Izraeli po përgatitet për një sulm pas vrasjeve brenda disa ditësh të dy kundërshtarëve kryesorë izraelitë në javët e fundit: një komandant i Hezbollahut në Bejrut dhe udhëheqësi politik i grupit militant palestinez Hamas, Ismail Haniyeh, në Teheran.

“Shpresoj që ata ta mendojnë këtë mirë dhe të mos arrijnë në një pikë ku të na detyrojnë të bëjmë dëme të konsiderueshme dhe të rrisin gjasat e shpërthimit të luftës në fronte të tjera”, tha Gallant.

“Ne nuk e duam këtë, por duhet të jemi të përgatitur”, shtoi ai.

Më herët, Hezbollahu tha se kishte përdorur “grupe dronësh sulmues në bazën Mahava Alon” në Izraelin verior të shtunën në mbrëmje –  duke shkaktuar viktima të konfirmuara.

Sulmi erdhi si përgjigje ndaj vrasjes nga Izraeli të anëtarit të Hamasit Samer al-Haj të premten në qytetin port të Sidonit, në Liban.

Hezbollahu tha gjithashtu se sulmoi një grup ushtarësh izraelitë pranë kufirit.

Ushtria izraelite konfirmoi se dronët kishin fluturuar mbi territorin izraelit nga Libani.

Një breshëri dronësh në shkallë të gjerë nga Hezbollahu ndaj Izraelit, ndoshta një sulm nga Irani, pritej prej disa ditësh.

Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah është betuar se do të hakmerret pas vrasjes së komandantit ushtarak të Hezbollahut, Fuad Shukr në Bejrut më 30 korrik.

Vdekja e Haniyeh në kryeqytetin iranian pasoi më 1 gusht, duke bërë që udhëheqja në Teheran të betohej për hakmarrje ndaj Izraelit, të cilin e fajësoi për sulmi. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›