E Diel, 1 Nëntor 2026

IZRAEL – Ushtria pretendon eliminimin e komandantit të Basij në Teheran

DUBAI, 17 mars /ATSH/ –  Ushtria izraelite njoftoi sot se ka vrarë kreun e forcës paraushtarake iraniane Basij gjatë një sulmi në Teheran, ndërsa mediat izraelite raportuan gjithashtu se shefi i sigurisë kombëtare të Iranit mund të ketë qenë objektiv i një atentat, sipas Reuters.

“Në një goditje të saktë në Teheran, IDF-ja eliminoi komandantin e njësisë Basij”, thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite. Sipas deklaratës, sulmi u krye nga Forcat Ajrore izraelite mbi bazën e inteligjencës ushtarake, duke vrarë Gholamreza Soleimani, i cili drejtonte këtë forcë prej gjashtë vitesh.

Basij, një forcë vullnetare që vepron nën Gardën Revolucionare iraniane, sipas Izraelit ka udhëhequr operacionet kryesore të shtypjes gjatë protestave masive të fundit në Iran.

Në raportime të ndryshme, mediat izraelite thanë se gjatë natës ushtria kishte shënjestruar edhe Ali Larijanin, një figurë kyçe e sigurisë kombëtare iraniane.

Transmetuesi publik “Kan” raportoi se ai ishte objekt i një tentative për atentat, ndërsa televizioni “N12” tha se rezultatet e sulmit janë ende duke u verifikuar.

Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar nga autoritetet izraelite për këtë pjesë të raportimeve.

Shefi i ushtrisë izraelite, gjeneral-lejtnant Eyal Zamir, deklaroi më herët se “janë arritur rezultate të rëndësishme parandaluese gjatë natës”. Ndërkohë, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu publikoi një foto të tij gjatë një telefonate, me mbishkrimin: “Kryeministri Benjamin Netanyahu urdhëron eliminimin e figurave të larta të regjimit iranian”. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›