E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iberoamerika në ekran

Ambasada e Spanjës sjell Javën VII të Kinemasë Spanjolle në Shqipëri, e cila do të mbahet ndërmjet datave 17-22 gusht në Pogradec, dhe që më pas do të udhëtojë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kjo javë titullohet "Iberoamerika në Ekran" dhe pretendon "të njohë publikun shqiptar me botën e madhe të atyre që në Spanjë dhe më tej, ëndërrojnë në spanjisht."


Formula të tilla si bashkëprodhimi, të nxitura nga Spanja nëpërmjet programit "Ibermedia", kanë qenë një alternativë për t´i bërë ballë ngushtësisë së tregut kombëtar.


Cikli inaugurohet të hënën me filmin "Elsa dhe Fredi" të argjentinasit Marco Carnevale, një tragjikomedi me protagonistë China Zorrilla dhe Manuel Alexandre. Një histori dashurie e vonë, ku Elsa, 82-vjeçare hyn në jetën e Fredit, duke i treguar një mënyrë tjetër të jetuari.


"Kaçimba" e kilianit Silvio Caiozzi, tregon historinë e Markos, një nëpunës banke që tenton t'u japë vlerë veprave të një piktori të panjohur kilian.


"Luleshtrydhe dhe çokollatë" e kubanëve Tomas Gutierrez Alea dhe Juan Carlos Tabio: kërkimi i identitetit të Davidit, student i shkencave sociale në Universitetin e Havanës dhe Diegos, një artist homoseksual i obsesionuar me kulturën. Takimi ndërmjet të dyve i jep fill një bote komplekse marrëdhëniesh ndërpersonale, në të cilën përzihen miqësia dhe pasioni, që arrin të vërë në rrezik lirinë e të dyve.


"Udhëtimi drejt detit" i uruguajanit Guillermo Casanova: gjashtë personazhe nisen për të parë detin për herë të parë. Nëpërmjet këtij udhëtimi shpaloset mënyra e veçantë e të jetuarit dhe të ndjerit e secilit prej tyre, rrethuar nga peizazhe të gjelbra, drejt bregdetit dhe detit të panjohur.


"Një ari i kuq" i argjentinasit Adrian Caetano, një prodhim i vitit 2002, që tregon historinë e një njeriu, i quajtur "Oso", që pas shtatë vitesh burg për vrasje, është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të rekuperuar jetën e tij.


"Havana Blues" i spanjollit Benito Zambrano, një komedi musikal mbi kontradiktat që përjetojnë Ruy dhe Tito, dy muzikantë kubanë, dhe mbi rrugët e ndryshme që zgjedhin ata për t´i shpëtuar ndjesisë së të zënit në kurth në Kubë.
Hyrja është e lirë dhe filmat do të shfaqen në versionin origjinal, me titra në anglisht dhe shqip, në orën 20:00 të secilës mbrëmje.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›