E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londo: U besoj ëndrrave jo të vërtetave

Stanislavski, Artaud, Strasberg, Grotowski dhe Brook, teoria botërore e teatrit, për herë të parë e plotë në shqipe, në projektin "Rifillimi i një fluturimi".


Kiço Londo përgjigjet për buxhetet e Bashkisë së Tiranës, që janë hedhur në Teatrin e Metropolit në sallat e reja. Së fundi, edhe në vepra të botuara, përkthime në sirtar nga Andon Pano e Petro Zheji


Kiço Londo, drejtori i Qendrës Kulturore "Tirana", e cila ka në varësi Ansamblin Folklorik "Tirana", Cirkun e Tiranës dhe sidomos Teatrin e Metropolit, ku po derdhet investimi më i madh financiar dhe njerëzor, tregon se prej tetë muajsh ka nisur projektin "Fillimi i një fluturimi", botimi i pesë veprave nga Konstantin Stanislavski (1863-1938), Antonin Artaud (1896-1948), Lee Strasberg (1901-1982), Jerzy Grotowski (1933-1999), dhe Peter Brook (1925-), individë, veprat e të cilëve kanë revolucionarizuar artin e aktrimit dhe kanë influencuar gjatë gjithë shekullit të njëzetë e këtej në artin skenik dhe të kinemasë. Disa prej tyre janë përkthime të censuruara apo të pabotuara kurrë nga Petro Zheji dhe regjisori pionier i teatrit shqiptar, Andon Pano.


Kiço Londo u përgjigjet pyetjeve për buxhetet e Bashkisë së Tiranës që janë hedhur në Teatrin e Metropolit në sallat e reja, të quajtura Bodrum e Glob, respektivisht me 300 dhe 80 vende.

Zoti Londo, sapo keni njoftuar hapjen e dy sallave të reja, po ata që do të bëjnë teatër ku janë, regjisorët?


Janë në Shqipëri, janë dhe jashtë Shqipërisë, janë në tokë. Është detyra e atyre që drejtojnë teatrin, t'i gjejnë. E rëndësishme është që ky raport midis sallës dhe skenës, që nuk ka ekzistuar më parë, ofrohet si një mundësi e re.


Do të përdorim në të tre sallat teknikat teatrore të munguara dhe kësisoj, ajo çka është bërë tradicionale, edhe për shkak të menaxhimit të dobët, qoftë nga ana e artistëve, qoftë nga ana e atyre që drejtojnë teatrot, që na i kanë bërë sytë me kallo nganjëherë, ka pak gjasë që të ndodhë edhe në Teatrin Bodrum, edhe në Teatrin Glob, po edhe në teatrin e vogël.

Janë pretendime ambicioze në raport me realitetin teatror që ofron Shqipëria?


Kjo që thoni ju ka një të vërtetë brenda. Megjithatë, në përgjithësi, mua nuk më interesojnë të vërtetat, por jam i prirur të kapem fort mbas ëndrrave dhe ambicieve, sepse në qoftë se do të mbetemi në këtë tradicionalizëm, nuk kemi për të ndryshuar kurrë dhe do të mbetemi po këtu.


Do të prodhojmë po të njëjtët aktorë që luajnë po njësoj, do të prodhojmë po të njëjtët regjisorë, të cilët i konceptojnë gjërat njësoj, teatri ynë do të mbetet një teatër veshi, jo një teatër i mendjes dhe i shpirtit.


Ju sikur po e ndani me thikë kohën kur drejtonit Teatrin Kombëtar nga ky moment.
Jo. E para, njëherë, unë kam të drejtën e evoluimit. E dyta, po ju pohoj që edhe kur kam qenë në TK, së bashku me ata që e mendojnë teatrin si një teatër që ndryshon, kam menduar kështu.


Megjithatë, nuk u përgjigjët ku jeni me sezonin dhe regjisorët, nga të cilët pretendoni teatër tjetër.
Nuk janë vetëm regjisorët, po edhe aktorët, edhe skenografët, edhe kostumografët, do të jemi të hapur, të pamëshirshëm në zgjedhje, jo me regjisorë që sjellin një gjë të stërparë, të stërlodhur...Deri tani kemi projektuar veprat që do të vëmë në skenë.


Edhe pse nuk janë bërë definitive, mendohet për "Elektrën" e Sofokliut, "Hamletin" ose "Ëndrrën e një nate vere" të Shekspirit, "Vizitori" i Eric-Emmanuel Schmitt-it, "Playboy i botës perëndimore" i John Millington Synge, për këtë kemi folur me Sesilia Plasarin. Në ambiciet e këtij viti është edhe konkursi i teatrit: pesë regjisorë me të njëjtën vepër. Jemi duke e diskutuar.


Mendojmë që e njëjta vepër nga tradita, nga Çajupi, Kristo Floqi, Viktor Eftimiu, pse jo dhe një vepër e huaj, të vihet në skenë nga pesë regjisorë dhe pesë aktorë për të njëjtin rol. Kjo është ajo që ne duam të bëjmë ndryshe.

Nga pranvera kur është hapur Teatri i Metropolit e deri tani, ju filluat me një entuziazëm që erdhi duke rënë.


Ne jemi hapur në prill, kemi operuar deri në fund të majit. Dy muaj nuk është pak, pastaj kemi dalë jashtë sezonit menjëherë, sepse qershor-korriku janë muaj jo të favorshëm për teatër. Ne jemi teatër i ri, kemi nisur një punë pa kompromise, pa mëshirë për veten, dhe kjo nuk është e lehtë.


Jeni nga njerëzit e teatrit që nuk kurseheni për të folur bukur...
Nuk flas bukur, por... ne jemi duke vuajtur momentalisht. Nuk është e lehtë për të mbajtur këtë ritëm. Shpesh, po të flasësh shumë në një moment edhe duke mos qenë i përgatitur për temën, edhe mund të bësh gabime. Nuk është e lehtë që të ndërtosh një repertor të ashpër, bashkë me njerëzit që punoj, se unë nuk ndihem i vetëm.


Nuk është kollaj të biesh "Hamlet" në një teatër që ka dy vjet që punon dhe kushdo njeri në Shqipëri apo kudo qoftë, edhe në një teatër me më shumë traditë, do mbante frymën dhe do të pyeste çfarë do bëjnë këta? Kush është regjisori? Kush është aktori që do të bëjë Hamletin? Po të thuash pastaj që ky është një teatër i hapur për regjisorët dhe aktorët e rinj, skepticizmi bëhet edhe më i madh.


Të njëjtën gjë kam pësuar edhe me "Kopshtin e Vishnjave". Njerëzit thoshin si ka mundësi që mosha mesatare e "Kopshtit...", një nga veprat më të vështira, është 22 vjeç. Ne po i bëjmë gjërat.


Kemi dëgjuar që Peter Brook, vepra e tij "Empty Space", do të botohet nga teatri juaj. Është hera e parë që një bibël e teatrit si kjo vjen në shqipe, kur ka një thatësirë të botimeve për teatrin, qoftë akademike, qoftë përkthime, apo edhe vepra divulgative.


Edhe kjo ka lidhje me atë që ju thashë në fillim. Vijmë në hapësirën teatrore pa mohuar gjërat që janë bërë, jemi të detyruar që të respektojmë ambientin në të cilin rrimë, të konstatojmë defektet dhe atëherë të veprojmë. Ka gati gjysmë shekulli që s'kemi një botim serioz në fushën e teatrit. Ka pasur botime të Stanislavskit në shkollë në formën e dispensave.


Në këto kushte na lindi ideja si Qendër e Zbulimit dhe e Eksperimentimit Teatral, pra do të jetë dhe kjo qendër pranë Teatrit të Metropolit, mund t'ju them edhe emrat e atyre që kanë filluar ta krijojnë si bërthamë këtë qendër.


Ka filluar prej tetë muajsh përkthimi. Kemi në dorë "Hapësirën boshe" të Peter Brook-ut përkthyer nga Sesilia Plasari, kemi në dorë metodën e Actor's Studio të Strasbergut, një përkthim dinjitoz i Andon Panos, i cili po redaktohet nga Alert Çeloaliaj. Kjo vepër ka qarkulluar fshehtas dikur.


Tani do të jetë në duart njerëzve të teatrit, të studentëve dhe të aktorëve të rinj. Mehmet Xhelili po punon me përkthimin e Grotowski-t. Prapë Sesilia Plasari ka marrë në dorë veprën e Antonin Artaud-së.


Mendojmë që deri në fund të vitit do të kemi formimin e aktorit të Stanislavskit, një botim i plotë, shpresojmë shumë që të gjejmë pjesën e humbur të "Jeta ime në art" të Stanislvaskit një përkthim i Petro Zhejit që ka mbetur i këputur në mes për shkak të censurës. Deri në fund të sezonit, projekti i botimit, i cili ka një titull "Fillimi i një fluturimi" do të ketë pesë botime dinjitoze, serioze, të plota.

Urime për prurjen e këtyre veprave tabu. Por të bën përshtypje që Bashkia e Tiranës, që jep minimumin për kulturën, ka këto raporte me Qendrën Kulturore "Tirana"...


Kush tha që Bashkia e Tiranës jep minimumin për kulturën?

Punët e bashkisë e thonë. Më shumë ka anëtarë këshilli për kulturën, se sa punë që miraton ky këshill.
Të gjitha paratë që na vijnë ne, na vijnë nga Bashkia e Tiranës. Sallat e reja po realizohen me fondet e Bashkisë.

Po ku qëndron sekreti, i keni blerë zemrën kryetarit të bashkisë?


Po të jesh pak i vëmendshëm, vë re që Edi Rama e ka zemrën jashtë trupit dhe mund t'ia prekësh. Të gjitha këto janë komunikime me Ramën, komunikimi im me të është shumë elegant dhe ndihem shumë i mbështetur, për të gjitha lëvizjet që bëj dhe për atë kupolën lart. Në turrën e punëve që ka, ai merret dhe me Teatrin e Metropolit.


Atëherë do të thoni që është i gabuar opinioni se shteti nuk ka para dhe nuk investon në kulturë?


Shteti, qoftë Ministria e Kulturës, qoftë bashkia, kanë fonde për kulturën. Ministria e Kulturës jep para pa fund, por i jep keq. Me këtë nuk dua të bëj ndarjen që Ministria e Kulturës është e PD-së dhe bashkia është e PS-së.


Në lidhje me sa thashë, dua të ngre një shqetësim. Ka gjashtë vjet që bëhet një festival për teatrin, për regjisorët e rinj dhe këta regjisorë japin 1-2 shfaqje. Këta të rinj nuk bëjnë gjë tjetër, veçse vazhdojnë të bëjnë provime.


Është si një proces mësimor. Si ka mundësi që me aq pak para - kushdo në botë që merret me teatër po ndeshet me problemet financiare - justifikohet që të ngrihet një shfaqje, të derdhet energji, të mblidhen edhe ca aktorë, të vuajnë dy muaj, t'u jepet një sallë për një natë, t'u thuhet bravo dhe mbas kësaj në mënyrë fare hipokrite, të mblidhen pesë të rrjedhur nga trutë - le ta kenë emrin si të duan - dhe të thonë që pa u ballafaquar fare me spektatorin, njëri është regjisor, tjetri nuk bën!


U jepen dhe lule në fund, shënohet kjo ngjarje dhe në CV e tyre. Kjo është gënjeshtër e madhe. Kështu nuk mund të ecet. Kjo është mungesë komunikimi.

Meqë jemi tek buxheti, është shkruar në shtyp që ky rezultat që ka Teatri i Metropolit, me sallën e re dhe rikonstruksionet që janë bërë, nuk justifikon 10 milionëshin e investuar nga bashkia.
Salla e teatrit me 100 vende është bërë me 6 milionë lekë (të rinj) saç bën një garsonier në Laprakë...


Shiko, natyrisht që ne po marrim fonde nga Bashkia e Tiranës, natyrisht që ndjehemi të përkëdhelur, të vlerësuar, për faktin që kemi vëmendjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Kjo nuk është pak, të marrësh vëmendje nga një partner shtetëror, por për këtë është harxhuar energji.


Tani të siguroj që këtë vit do të punohet shumë me partnerin publik dhe t'i mbushim mendjen partnerit publik që do të bëjmë shfaqje të tjera serioze, do të ketë hapësira për të tjerë të rinj.

Me çfarë kushtesh financiare ka punuar një aktor i ri tek ju?


Padyshim më mirë se në çdo teatër lokal në Shqipëri dhe shumë pranë Teatrit Kombëtar.


Kush e mban atë bërthamë që përmendët të Zbulimit dhe të Eksperimentimit Teatral?


Juve nuk ju ka vajtur mendja që një nga pedagogët më të ndritur të Akademisë së Arteve, si Viktor Zhusti, mund të ishte një regjisor shumë i mirë teatri.


Nuk ju ka vajtur mendja që do të jetë Sesilia Plasari. Kjo është bërthama. Unë kam qenë dhe jam serioz me teatrin. Këto ide i kam pasur gjithmonë: të mbledhim njerëz që mund të bëjnë diçka ndryshe për teatrin.


Kam mosrealizimet e mia nga Teatri Kombëtar, të cilat po mundohem t'i bëj këtu. Do vij një moment që do iki nga këtu pa bërë disa gjëra. Por tani po nxitoj. Për shembull, idenë e botimeve e kam pasur, nuk arrita ta bëja dot dikur.


Ju nuk u besoni të vërtetave, thatë qëparë. Nga cila përvojë ju ka ardhur kjo bindje?


Ndoshta ka dalë më evidente mbas aksidentit, sepse aksidenti im, gjendja ime e komës, ka qenë mbushur me ëndrra.


Unë kam parë vazhdimisht ëndrra, pafundësisht ëndrra, të cilat jam në gjendje t'i rikujtoj. Dhe për shkak të kësaj përvoje, i përmbahem idesë që, njeriu, pa të vërtetën mund të jetojë, pa ëndrrat çmendet. Kështu që mua më interesojnë ëndrrat dhe tani jam duke ëndërruar.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›