Velipojë, pushuesit ankohen: Policia të zbatojë urdhrat
JETA E NATËS/ Ulja e volumit pas orës 12:00 nuk gjen zbatim në veri të vendit
VELIPOJË - Teksa diskot në bregdetin e Vlorës çdo natë po vuajnë mbërritjen e policisë, që detyron uljen e volumit të muzikës, në bregdetin e Velipojës një gjë e tillë nuk ndodh. Urdhri i lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë nuk ka gjetur ende zbatim në të.
Pavarësisht deklaratës për shtyp të dhënë nga Policia e Shtetit se diskot (lokalet me muzikë) do të kenë një kufizim në orar (nga e hëna në të enjte deri në mesnatë, ndërsa të premte e të shtunë deri në orën 02:00), lokalet e plazhit të Velipojës vijojnë të pashqetësuar punën e tyre, duke shkaktuar ndotje akustike për një numër të madh pushuesish të cilët e kanë zgjedhur këtë vend për të kaluar pushimet verore së bashku me familjet e tyre.
Si pika më problematike paraqiten ato lokale që janë pranë godinave të banimit dhe shtrihen kryesisht në drejtim të grykëderdhjes së Bunës dhe nga laguna e Vilunit. Pushuesit e plazhit të Velipojës për gazetën "Shekulli" shprehin shqetësimin për këtë situatë të krijuar.
A.Kraja, i cili prej 10 ditësh ndodhet me pushime në këtë zonë, thotë se zhurmat e lokaleve të natës janë kthyer në një ritual të zakonshëm për pushuesit, të cilët në fakt nuk dinë se as kujt t'i drejtohen për një problem të tillë.
"Kur dëgjuam për një urdhër të nxjerrë nga policia, shpresuam se makthi i netëve pa gjumë do të merrte fund, por duket se nuk po bëhet asgjë", shprehet Kraja. Mes atyre që ankohen, janë dhe pushuesit kosovarë.
Antigona Rrapishta, pushuese nga Kosova, nënë e dy fëmijëve, shprehet e shqetësuar për zhurmat e lokaleve: "Ne kemi lokalin poshtë dhomës ku po jetojmë. Sidomos për familjen tonë është e tmerrshme: fëmijët janë të vegjël dhe nuk durojnë zhurma të këtij lloji.
Aq më tepër që muzika e lartë tejkalon dhe normat e lejuara, duke përfunduar në orët e para të mëngjesit. Kjo është është tepër e lodhshme", thotë ajo. Por nga ana tjetër, janë dhe vetë pronarët e hoteleve, ata që kërkojnë zgjidhjen e kësaj situate në plazhin e Velipojës.
A.D, pronar i një hoteli, shprehet se zhurmat tej nivelit të lejuar po largojnë pushuesit. "Një familje që erdhi në hotelin tim u largua, pasi fatkeqësisht afër meje ndodhet dhe një lokal i cili përdor muzikë "Live".
Muzika e lartë tej normave të lejuara po prish atë imazh dhe atë investim të cilin unë apo edhe shumë të tjerë e kemi ndërtuar për vite me radhë",- proteston ai. Por pavarësisht urdhrit të dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në plazhin e Velipojës, më i madhi në veriun e Shqipërisë, ende asnjë drejtues i pabeve apo lokaleve të natës nuk është ndëshkuar.
Ndërkohë, mësohet se në qytetin e Vlorës urdhri vijon të zbatohet rigorozisht, dhe jo në pak raste policia ka shoqëruar persona të ndryshëm për ngritjen e volumit nëpër lokalet e natës.