E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra: Jo gjithmonë fitojnë më të mirët

SHKRUAN: Jeton Selimi 11-03-2011 10:46

Totenhemi dhe Milani një ditë më pas. Anglezët shijojnë kualifikimin historik, ndërsa kuqezinjtë qajnë rastet e humbura.

24 orë pas sfidës së të mërkurës, Totenhemi dhe Milani bëjnë llogaritë e tyre. Anglezët, të dalë jashtë garës për titullin kampion, kanë përse të krenohen këtë sezon. Faza çerekfinale e Champions League është arritja më e madhe e klubit në këtë kompeticion dhe Spursat po e shijojnë në maksimum. Mediat kanë filluar të përkëdhelin skuadrën londineze, megjithatë, njëri prej tyre, dhe më konkretisht trajneri, po bën llogaritë e tij në lidhje me të ardhmen e skuadrës në garën më prestigjioze të kontinentit. Harry Redknap shpreson që ekipi i tij, Totenhemi, të mos ketë përballë Barcelonën në çerekfinale të Ligës së Kampioneve. Pasi eliminoi Milanin nga gara europiane, 64-vjeçari beson se ekipi i tij mund të arrijë madje edhe deri në finale, por lutet të mos përballet me Barcelonën në raundet e ardhshme, pas futbollit të shkëlqyeshëm që ata treguan ndaj Arsenalit. “Nuk e di sesa larg mund të shkojmë. Mendoj se ishte një paraqitje e shkëlqyeshme ajo e Barcelonës që mposhti Arsenalin që luan saktë dhe që mbase është ekipi me pasimet më të mira në ligë. Është vështirë që dikush ta mposhtë Barcelonën. Ata janë një ekip i mahnitshëm, por kurrë nuk i dihet. Ne jemi në tetëshen e fundit dhe kemi bërë më të mirën për të arritur ku jemi dhe dua të qëndrojmë në këtë garë dhe të shkojmë sa më larg që mundemi”, ka thënë Redknap.

Në anën tjetër të kontinentit, dhe më saktë në Itali, Zlatan Ibrahimoviç thotë se Milani mund të jetë krenar për lojën e treguar ndaj Totenhemit, pavarësisht se është eliminuar nga Liga e Kampionëve. “Ne kemi luajtur mirë, por nuk arritëm te goli, që ishte e vetmja gjë që mungoi në atë mbrëmje. Gjatë dy ndeshjeve Tottenhemi ka pasur vetëm një goditje dhe ka shënuar. Ekipi më i mirë nuk fiton gjithmonë. Jam i kënaqur me paraqitjen time dhe çdokush në ekip luajti mirë. Jam përpjekur të shënoj, por topi nuk e kalonte vijën fatale. Është turp që jemi eliminuar nga Liga e Kampionëve, por ne ende jemi në garë për Skudeton dhe Kupën e Italisë ku duhet të fokusohemi”, ka thënë Ibra. Edhe sulmuesi tjetër i Milanit, Aleksandre Pato, mendon se kuqezinjtë nuk e merituan largimin nga Champions. “Është vështirë të përfundojmë kështu pas një ndeshjeje dominuese dhe pas një loje të mirë. Ajo çfarë kishim nevojë ishte goli dhe nuk e arritëm. Luajtëm shumë mirë, por nëse nuk shënon, në fund asgjë tjetër nuk ka vlerë. Tani duhet ta harrojmë këtë ndeshje sa më shpejt dhe të fokusohemi në Serie A dhe në Kupën e Italisë. Të gjithë dëshirojmë të fitojmë dhe mund ta bëjmë këtë në Itali këtë sezon”, është shprehur Pato pas takimit të së mërkurës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›