E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra voton Iniesten

Andres Iniesta ka një tifoz të madh në garën për Topin e Artë të vitit 2012. Në krah të tij del Zllatan Ibrahimoviç, ylli i madh i Paris SG, që voton dhe flet si kapiteni i përfaqësueses së futbollit të Suedisë.
Ibra dëshiron që të jetë pikërisht Andres fitues i këtij Topi të Artë dhe ia ka dhënë votën atij.
Për lojtarin me origjinë boshnjake nuk ka asnjë dyshim se më i miri lojtar në botë është pikërisht Lionel Mesi, njeriu që sipas tij luan futbolli sikur luan në play station, veçse Iniesta e meriton sepse doli kampion i Europës këtë vit dhe sepse Mesi nuk do të shënonte kurrë kaq shumë gola pa pasimet e numrit 8.
Ibra vlerëson edhe Kristiano Ronaldon që meriton diçka pasi fitoi kampionatin spanjoll me Realin e Madridit, ndërsa mendon se suksesi në Champions nuk është vendimtar për të fituar Topin e Artë. Asnjë lojtar i Çelsit nuk u fut ndër 3 kandidatët e përzgjedhur në fazën përfundimtare.
Topi i Artë do të jepet, nga FIFA dhe revista “France Football”, janarin e vitit të ardhshëm dhe Mesi është favorit pasi theu disa rekorde gjatë 2012-ës, si atë për numrin e golave në kampionatin spanjoll, numrin e golave në një sezon dhe numrin e golave në një vit kalendarik.
Në garë janë edhe Iniesta e Kristiano Ronaldo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›