Tronditje tek Barcelona

Një lajm që vjen nga Barcelona ka tronditur botën e futbollit. Tito Vilanovës, trajnerit të katalanasve, i është rikthyer sëmundja e kancerit, dhe menjëherë pas kësaj klubi katalanas ka anuluar çdo komunikim me mediat.
Lajmin e jep gazeta barceloniste “El Mundo Deportivo”, ndërsa shqetësimi është i madh lidhur me të ardhmen e Vilanovës në stolin “blaugrana”.
Presidenti Sandro Rosel kishte parashikuar një dalje para mediave përpara festës së Krishtlindjeve, ndërsa skuadra vazhdon përgatitjet për ndeshjen e fundit të këtij viti, atë në fushën e Vajadolidit në kampionat.
Vilanova u sëmur fillimisht me kancer në vitin 2011, por ia doli të fitonte betejën për jetë a vdekje, ndërsa skuadra e drejtuar në atë kohë nga Pep Guardiola, fitoi thuajse gjithçka, përfshi edhe titullin kampion në Spanjë dhe Ligën e Kampionëve.
Po ashtu, katalanasit patën një tjetër përvojë tronditëse me sëmundjen e kancerit që goditi mbrojtësin francez, Erik Abidal dhe pikërisht atij iu dedikua Championsi i fituar në “Uembli” ndaj Mançester Junajtid, duke qenë ai kapiteni për atë moment.
Nuk jepen më shumë hollësi sesa ka përparuar sëmundja, ndërsa Vilanova së fundmi ishte në stol në fitoren 4-1 të Barcelonës ndaj Atletikos së Madridit në kampionatin spanjoll. Mbetet në pikëpyetje nëse ai do të vazhdojë të drejtojë skuadrën që mori në dorëzim pas dorëheqjes së Guardiolës.