Ibrahimaj: Asnjë pension i plotë nën 400 euro deri në 2030-ën

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se objektiv kryesor i qeverisë mbetet rritja e pensioneve dhe përmirësimi i mëtejshëm i mirëqenies së qytetarëve, në kuadër të rritjes ekonomike dhe politikave sociale.
Gjatë një bashkëbisedimi sot me pensionistë të Njësisë nr. 2 mbi zhvillimet ekonomike, politikat sociale dhe reformën e pensioneve, ministrja theksoi se rritja e mirëqenies është reflektuar edhe në rritjen e pagave në administratën publike, ndërsa fokusi vijon te pensionet.
Sipas saj, reforma e pensioneve do të vijojë me rritje të përvitshme dhe bonuse, duke synuar përmirësimin gradual të të ardhurave për kategoritë e pensionistëve.
Ibrahimaj u shpreh se deri në vitin 2030 nuk do të ketë pensione nën 200 euro dhe as pensione të plota nën 400 euro, ndërsa do të ndiqet një trajektore rritëse çdo vit.
Ajo solli në vëmendje se në vitin 2013 pensioni mesatar ishte 86 euro, ndërsa në vitin 2025 është rritur në rreth 189 euro, duke theksuar se kjo tendencë do të vijojë në vitet në vijim.
e.xh/j.p/