Ibrahimaj: Brenda vitit miratohet ligji i ri për investimet strategjike, konsultimet nisin gjatë verës

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se, qeveria synon të miratojë brenda këtij viti ligjin e ri për investimet, në kuadër të reformave për përmirësimin e klimës së biznesit dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
E pyetur në një konferencë për mediet lidhur me ligjin për investimet strategjike, Ibrahimaj tha se, sa i përket ligjit për investimet, qeveria e ka konsideruar atë si një nga reformat më të rëndësishme që po ndërmerren në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
“Një ndër detyrimet dhe reformat që po ndjekim lidhet me sektorin e investimeve. Ne kemi marrë përsipër që brenda këtij viti të miratojmë ligjin e ri për investimet dhe po punojmë për të bërë një analizë të të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian dhe të incentivave që ato ofrojnë për nxitjen dhe tërheqjen e investimeve”, u shpreh ministrja.
Sipas saj, brenda verës pritet të nisë procesi i konsultimit publik për elementët e rinj të ligjit, i cili do të fokusohet në rritjen e sigurisë juridike për investitorët, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe në nxitjen e investimeve në zonat e disavantazhuara, duke ndjekur modelet e vendeve të BE-së.
“Kjo nuk është e vetmja linjë që po ndjekim për të garantuar rritjen e investimeve në vend, si të investimeve të huaja, ashtu edhe të atyre vendase”, tha Ibrahimaj.
Ajo bëri të ditur se Ministria po punon edhe për disa dokumente strategjike, të cilat do të jenë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Po hartojmë dokumentin e politikës industriale, i cili fokusohet kryesisht te lëndët minerale, pasi Shqipëria ka potencial të madh për të zhvilluar industrinë nxjerrëse në bashkëpunim me vendet e Bashkimit Evropian, duke synuar integrimin e këtyre burimeve në zinxhirin e vlerës të BE-së”, tha ajo.
Gjithashtu, ministrja tha se po përgatitet edhe një dokument për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
“Gjatë këtij viti kemi nisur një punë të ngushtë me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të identifikuar nevojat që ato kanë për të arritur standardet e Bashkimit Evropian, si dhe për t’u ofruar produkte financiare që do t’i mbështesin. Synimi ynë është që tregu unik evropian të bëhet një mundësi reale zhvillimi për bizneset shqiptare”, u shpreh Ibrahimaj.
Duke folur për industrinë fason, ministrja tha se prej disa muajsh sektori i tekstileve po përballet me një ngadalësim, ndërsa theksoi se vështirësitë kanë nisur prej disa vitesh, kryesisht si pasojë e kursit të këmbimit.
“Kemi shprehur shumë herë se kursi i këmbimit është i lirë dhe përcaktohet nga kërkesa dhe oferta. Qeveria nuk ka mekanizma për të ndërhyrë në kursin e këmbimit, pasi ekonomia e tregut funksionon mbi këtë parim, duke nxitur eficiencën, produktivitetin dhe përcaktimin e çmimeve nga tregu”, tha ajo.
Ibrahimaj shtoi se qeveria ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësuesit e industrisë së tekstileve dhe beson se sektori ka potencial të transformohet, duke kaluar drejt një cikli të mbyllur prodhimi.
Ajo bëri të ditur se së shpejti do të nisë zbatimi i nismës “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, përmes së cilës qeveria do të vendosë në dispozicion një fond të konsiderueshëm si garanci sovrane.
“Në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe likuiditetin që ajo ka vënë në dispozicion për mbështetjen e bizneseve, synojmë të garantojmë që norma e interesit për kreditë të jetë në nivelin 2%”, përfundoi ministrja.
/gj.m/r.e/